Lajme
Mafia energjetike serbe më e fuqishmja në rajon, Damir Fazlliq ishte cimer edhe me Vuk Jeremiqin
Demokracia
22:44 | 22 Prill 2022

Share:

Skandali i publikuar nga mediat sllovene lidhur me një aferë financiare, ku është përfshirë edhe ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj, e ka rikthyer vëmendjen tek sekseri boshnjako-serb, Damir Fazlliq.

Sipas hulumtimit që u publikua në televizionin slloven, Planet TV, ambasadori Berishaj i mori rreth 600 mijë euro për t’ia dorëzuar më pas kandidatit për kryeministër të Sllovenisë, Robert Golob, raporton Demokracia.com.

Një pjesë të këtyre parave, ky i fundit i kishte marrë nga kompania GEN-I, dega në Serbi.

GEN-I njihet si pjesë kyçe e “mafisë energjetike serbe”, të cilën e udhëhoqën Vojin Lazareviq dhe Damir Fazlliq, përcjell Demokracia.com.

Ky i fundit ishte shumë i afërt edhe me një prej politikanëve serbë që e ka sulmuar vazhdimisht shtetin kosovar, Vuk Jeremiq, i cili madje kishte deklaruar se Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së “vetëm mbi trupin e tij të vdekur”.

Vuk Jeremiq dhe miqësia me cimerin nga kolegji, Damir Fazlliq

Rrjeti i pavarur medial i Ballkanit Perëndimor, ANTIDOT, i kishte kushtuar një artikull Jeremiqit dhe Fazlliqit, ku thuhej se për miqësinë mes tyre dihet që nga viti 2003. Ishte kjo koha kur Jeremiq u kthye në arenën politike serbe, kur Boris Tadiq u bë ministër i Mbrojtjes. Miqësia e Jeremiqit me një ndër mashtruesit më të njohur të Ballkanit, Damir Fazlliq, siç e portretizon ANTIDOT, të cilin e kishte edhe mik të konviktit në një kolegj në Londër, ia mësoi atij edhe këshillat për aktivitetet më të sofistikuara të jashtëligjshme dhe krime të përsosura.

Në kohën kur Jeremiq ishte praktikant në Qeverinë Serbe, Fazlliq nisi disa përpjekje personale biznesi në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa mburrej publikisht se kishte futur “njeriun e tij” në kabinetin e kryeministrit serb, përcjell Demokracia.com.

Pavarësisht lidhjeve të dukshme me skenën kriminale, Fazlliq së bashku me anëtarin e tretë të treshes së ish-studentëve londinez, Milan Haseciq, kumbari i Jeremiqit, në atë kohë i punësuar në bankën “Goldman Sachs”, ishte mysafir dhe i ftuar në inaugurimin e Boris Tadiçit në maj 2004. Me ndihmën aktive të Jeremiqit, Fazlliq dhe Haseciq patën mundësinë të shiheshin me një president të ri serb, i cili u shërbeu më vonë si një biletë për të hyrë në shumë biznese të dyshimta dhe privatizime të ardhshme në Serbi.

Prandaj, duke iu referuar lidhjeve të tij me kabinetin e Boris Tadiqit, Haseciq luajti rolin e tij në Serbi gjatë privatizimit të “Knjaz Milos” dhe në lobimin e tij për “Salfor”, klientin e bankës së tij. Lojërat e ndyra të Haseçiqit në privatizimin e kompanisë “Knjaz Milos” u ndërprenë kur Vladan Batiq, lideri i ndjerë i Partisë Demokristiane, doli me informacione për korrupsionin në lidhje me kabinetin e Tadiqit. Batiq përmendi në mënyrë eksplicite “Goldman Sachs” pas kësaj dhe me urdhër të Bankës Qendrore, Haseciq u largua urgjentisht nga Serbia. Ai u kthye 7 vjet më vonë kur u bë anëtar i Bordit të Drejtorëve të Federatës Serbe të Tenisit, në kohën kur në krye të asaj federate ishte Vuk Jeremiq.

Vuk Jeremiq fitoi përvojë në botën e krimit me mashtruesin ballkanik Damir Fazlliq, i cili u arrestua, ndër të tjera, për punën me Naser Oriçin.

Fazlliq e filloi karrierën e tij në kompaninë NatWest Markets, krahu i investimeve të një banke të madhe, të cilën regjimi i Slobodan Millosheviqit e angazhoi për të ndihmuar në privatizimin e Telekom Serbia.

Fazlliq më vonë u përfshi në tentativën e privatizimit të “Fabrikës së Duhanit”, e cila u akuzua për mashtrim në vlerë prej 250,000 dollarësh. Një hetim u nis kundër Fazlliqit, megjithatë u ndërpre për shkak të, siç u tha, vështirësive të hasura që prokuroria kishte gjatë mbledhjes së provave./Demokracia.com/

Të ngjashme