Kompania MB Consulting që vepron në Mal të Zi po del se nuk është kompania e vetme në pronësi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili së fundmi dyshohet se u përfshi në një skandal të madh rajonal.
Berishaj figuron udhëheqës i një biznesi në Prishtinë, në ortakëri me dy afaristë sllovenë. Njëri prej tyre është Janez Bukovnik, ish-drejtues i Lotarisë Sportive në Slloveni. Në mediat sllovene, Bukovnik është përfolur për pagesat astronomike që pranoi pas pensionimit.
Mediat sllovene kanë raportuar se Martin Berishaj i ka bartur para CASH rreth 600 mijë euro nga Mali i Zi për tek politikani slloven, Robert Golob.
Një televizion slloven, Planet TV, ka raportuar se mbi gjysmë milioni euro në CASH janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e “mushkës financiare” ose të transportuesit të parave e ka kryer ambasadori i Kosovës, Martin Berishaj.
E veç kësaj, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, Berishaj ka në pronësi edhe dy kompani të tjera që veprojnë në Kosovë – “Myloja L.L.C.” dhe “Zaslon Kosova L.L.C”.
Në pensionimin e tij, ai përfitoi një pagesë astronomike. Siç kishte raportuar gazeta sllovene Siol.net, shuma prej 200 mijë eurove të cilën e kishte pranuar Bukovnik kalonte disa herë detyrimin ligjor të punëdhënësve ndaj punonjësve të pensionuar.
Sipas burimeve të Siol.net, ish-kryetari i Bordit të Lotarisë Sportive sllovene kishte marrë një pagesë në shumën e 12 pagave mesatare mujore pas pensionimit. Pagesa totale, e cila përfshinte disa shtesa, pritej të arrinte pak më pak se 200 mijë euro bruto, raportonte Siol.net.
Pagesën e pensionimit të Bukovnikut e kishte konsideruar “shumë të lartë” edhe ish-ministrja e Sportit të Sllovenisë, Maja Brençiç.
Derisa emri i tij përflitej për pagën astronomike në Slloveni, Bukovnik udhëhiqte – dhe vazhdon të udhëheq – një kompani këshilluese financiare në Kosovë së bashku me Martin Berishajn, Ambasadorin e Kosovës në Slloveni dhe ish-anëtarin e Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.
Janez Bukovnik dhe Martin Berishaj figurojnë bashkë-aksionar të kompanisë “Myloja L.L.C”, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë në vitin 2008.
Kompania, e cila ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit monetar dhe lizingut financiar, është e vendosur në lagjen Hajvali të Prishtinës. Kjo bazuar në të dhënat publike pranë ARBK-së.
Bashkë-aksionar në kompani figuron edhe Anton Çerne, një tjetër biznesmen slloven, ish-anëtar i Bordit të Lotarisë Sportive në Slloveni.
Në formularin e kompanisë, nuk është prezantuar asnjë numër kontaktues.
Kurse, kompania tjetër, në të cilën Berishaj është pronar, “Zaslon Kosova”, bazuar në të dhënat e ARBK-së, si biznes është regjistruar tetë muaj më vonë pas kompanisë së parë “Myloja” në Prishtinë dhe po në të njëjtën adresë – Hajvali.
Kompania e dytë e Berishajt dallon me kompaninë tij të parë në aspektin e fushëveprimit si biznes. Kjo e fundit është një mozaik i aktiviteteve biznesore.
Sipas të dhënave të ARBK-së, kompania “Zaslon Kosova” si aktivitet primar ka “riprodhimin e mediave të incizuara”, ndërsa sekondar “tregti me shumicë e makinerive dhe pajisjeve të tjera të zyrave”, raporton Demokracia.com.
Si aktivitete të tjera figurojnë fushëveprimtari si “kërkime dhe zhvillime të tjera eksperimentale në shkencat natyrore dhe inxhinieri” apo “Riparimi i kompjuterëve dhe pajisjeve periferike”.
Kompani e dytë e Berishaj, “Zaslon Kosova”, është në bashkëpronësi po ashtu me një biznesmen slloven, Benjamin Erazem Pintar, ku ky i fundit është aksionar me një kapital prej 2 mijë e 125 mijë eurosh, ndërsa Berishaj me vetëm 375 euro.
Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, u bë lajm ndërkombëtar meqë dyshohet se është i përfshirë në një skandal të zbuluar financiar në Slloveni, ku me ndihmën e tij, kandidati për kryeministret të Sllovenisë, Robert Golob, dyshohet se ka bërë shpëlarje parash.
Ambasadori kosovar dyshohet së është bërë pjesë e një skeme ku para që paguheshin nga një kompani serbe, e cila është degë e një kompanie energjetike ballkanike, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze MB Consulting, pronar i së cilës ishte vetë ai.
Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Berishaj i ka mohuar akuzat për shpëlarje parash, por nuk ka mohuar faktin se është pronar i kompanisë malazeze që pranonte para nga ajo serbe.
Përkundër dyshimeve, presidentja Vjosa Osmani e ka mbrojtur ambasadorin. Ajo ka thënë se kanë zgjedhur t’i besojnë atij, meqë ai po i mohon akuzat. /Demokracia.com/