Lajme
Osmani, Kurti e Gërvalla heshtin për ambasadorin e dyshuar si shpëlarës të parave të Serbisë
Demokracia
12:20 | 22 Prill 2022

Share:

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, po dyshohet se është përfshirë në një skandal të madh financiar në Slloveni.

Mediat në Slloveni raportuan se ai ka bartur para CASH rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek një politikan slloven, raporton Demokracia.com.

Por, ndonëse kanë kaluar shumë orë që nga publikimi i këtij skandali, askush nga drejtuesit e institucioneve të Kosovës nuk kanë folur për këtë skandal dhe nuk ka treguar nëse ambasadori Berishaj do të shkarkohet.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministrja Donika Gërvalla po vazhdojnë të heshtin.

Miku i kryeministrit, që u dërgua si ambasador në Kroaci, është paguar qindra mijëra euro nga firma GEN, me bazë në Beograd.

Sipas mediave sllovene që publikuan skandalin, ai ka përfituar nga GEN-i serb një shumë pagesa mujore prej 5 deri në 55 mijë euro ose gjithsej mbi gjysmë milioni euro.

Kompania serbe GEN është pjesë e rrjetit rajonal të tregtarëve të energjisë elektrike. Kjo firmë së bashku me Rudnapin në pronë të Vuk Hamoviç dhe EFT-në pronën e Vojin Lazareviç, kanë përfituar qindra miliona euro nga Kosova, Shqipëria, Mali i Zi e vendet tjera të rajonit.

Të tri firmat kanë një të përbashkët: Damir Fazlliçin.

Ai është sekseri i njohur ndërkombëtarisht që i mundëson këtyre firmave kontrata të mëdha me qeveritë e rajonit.

Të tri firmat në shumë artikuj të rrjeteve ndërkombëtare të gazetarëve janë cilësuar si pjesë e mafisë energjetike në rajonin e Ballkanit.

Të ngjashme