Kryetari i Partisë së Lirisë në Slloveni, Robert Golob i cili dyshohet se është implikuar në një skandal të madh financiar bashkë me Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i ka mohuar akuzat për përfshirje në aferën e dyshuar për shpërlarje parash.
Në një debat televiziv të enjten, në të cilin morën pjesë 12 përfaqësues të subjekteve politike në Slloveni, Golob tha se Martin Berishaj, i cili dyshohet se shërbeu si sekser i 600 mijë eurove mes tij dhe një kompanie private serbe, është mik i Janez Janshas, kryeministrit slloven, i cili ishte pjesë e panelit debatues në televizionin publik slloven, RTS Slovenia.
Golob tha se Jansha, rival i tij politik tri ditë para zgjedhjeve parlamentare në Slloveni, është fotografuar me Ambasadorin e Kosovës, i cili dyshohet se është përfshirë në skandalin financiar të cilin e zbuloi televizioni Planet TV.
Golob iu referua një fotografie që Jansha ka me Berishajn.
Megjithatë, ai tha se të gjitha të ardhurat i merr vetëm në Slloveni dhe se e gjithë pasuria e tij është “e pastër dhe ka origjinë të njohur”.
Martin Berishaj është implikuar në një skandal të madh financiar, të cilin e ka zbuluar mediumi slloven, Planet TV.
Ambasadori i Kosovës në Slloveni dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.
LEXO EDHE: