Lajme
Këshilltarja e Osmanit e telefonon Ganimete Musliun, i kërkon asaj falje
Demokracia
21:11 | 21 Prill 2022

Share:

Rejhan Vuniqi, këshilltare e presidentes Vjosa Osmani, i ka kërkuar falje deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, për veprimin e saj në rrjetet sociale, pasi e kishte pëlqyer një postim ku me gjuhë të ulët fyhej deputetja Musliu.

Vuniqi kërkimfaljen e bëri pas raportimit të Demokracia.com.

SKANDALOZE| Në vend që ta mbrojë, këshilltarja e Osmanit e pëlqen komentin ofendues për Ganimete Musliun

Ajo përmes një postimi në Facebook ka treguar se e ka telefonuar deputeten Musliu dhe i ka kërkuar falje.

“Dhuna në të gjitha aspektet e jetës, duke përfshirë edhe politikën, është krejtësisht e papranueshme e në veçanti dhuna ndaj grave. Personalisht kam qenë cak i sulmeve të tilla dhe vazhdimisht kam avokuar e jam deklaruar kundër këtij fenomeni të patolerueshëm. Sot, përmes një artikulli, kuptova se rastësisht kisha pëlqyer një postim në Instagram, i cili shpërfaqte gjuhë të papranueshme kundër një deputeteje të parlamentit tonë. Dua të sqaroj menjëherë se ky pëlqim ishte aksidental dhe kurrsesi i qëllimshëm, ndërsa besoj se përdoruesit e këtij rrjeti social mund ta kuptojnë më së miri një situatë të tillë. Sapo e kam parë lajmin, menjëherë e kam telefonuar deputeten Ganimete Musliu dhe i kam kërkuar falje për këtë veprim aspak të qëllimshëm.”, ka shkruar Vuniqi në Facebook.

Vuniqi tutje ka shtuar se kurrë nuk e ka mbështetur gjuhën denigruese ndaj grave, shkruan Demokracia.com.

“Si person që i kam kushtuar rëndësi në karrierën time mbështetjes së grave në politikë, më vjen sinqerisht keq për këtë situatë dhe dua ta përsëris edhe njëherë se kurrë NUK do ta falë e as s’e kam mbështetur ndonjëherë këtë gjuhë denigruese apo çfarëdo sjellje të ngjashme”, ka shtuar Vuniqi.

Të ngjashme