Raporti për të Drejtat e Njeriut në Kosovë për vitin 2021 e vë në pah sërish shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga presidentja Vjosa Osmani.
“Human Rights Report” për vitin 2021, e cilëson vendim politik shkarkimin e Valdete Dakës prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga ana e presidentes Vjosa Osmani.
“Presidentja Osmani e shkarkoi kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, se gjoja ka vepruar në një mënyrë që e ka cenuar rënd pavarësinë dhe integritetin e komisionit. Njëmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile e quajtën vendimin e Osmanit të motivuar politikisht dhe në raportin e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve thuhej se “Vendimi i Presidentes së Kosovës për shkarkimin e ish kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 14 qershor, katër vjet para skadimit të mandatit të saj të dytë dhe vetëm një ditë para shpalljes së zgjedhjeve komunale, nuk ka mundur të arsyetohet në mënyrë adekuate as me arsyetimin e vendimit dhe as me arsyet e renditura në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Të dyja vendimet shihen, sidomos nga partitë opozitare dhe shoqëria civile, si të motivuara politikisht”, thuhet në raport të HRR-së.
LEXO EDHE:
Demokracia.com ka kontaktuar me ish-kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën, për të marrë një qëndrim të saj lidhur me këtë raport.
Daka ka theksuar se nuk ka koment, pasi që të gjitha raportet po e thonë qëndrimin e saj, njësoj siç ka konstatuar edhe ky raport dhe të tjerët, që shkarkimi i saj është bërë me direktiva politike.
“I njëjti raport sikur i Departamentit të Shtetit, vetëm se tash është i Human Right Report për vitin 2021. S’kam koment unë. Komenti im është çka mundet me thanë presidentja, pasi që krejt raportet e mundshme që janë shkruar për Kosovën edhe për të Drejtat e Njeriut edhe për zgjedhjet, e kanë konstatuar që ajo ka bërë shkelje me vetë faktin që m’ka shkarkuar. Ajo mundet me e mbrojt vendimin e vet gjithë ditën e gjithë natën, por raportet po flasin diçka tjetër”, ka thënë Daka për Demokracia.com.
Sipas Dakës, mendimi i saj është vërtetuar edhe nga të gjithë njerëzit që sadopak kanë njohuri nga sistemi i drejtësisë.
Ajo thotë se nëse presidentja Osmani pretendon se vendimi për shkarkimin e saj është më i miri, atëherë çka do të ndodhë me vendimet e tjera që do t’i marrë presidentja Vjosa Osmani.
“Ndoshta kish me qenë mirë që ju gazetarët me e pyet presidenten çka mendon për këto raporte. Se unë s’kam çka me thanë, unë e kam thanë mendimin tim edhe mendimin tim e kanë vërtetu krejt këto raporte. Jo vetëm mendimin tim, po krejt kush ka ditë diçka, pak që merr vesh në drejtësi, i ka thanë këto dhe po e vërtetojnë krejt raportet. Pra, me e pyet presidenten, çka mendon ajo, pse këto raporte kanë konstatuar kështu. Ose zyrën e saj, me i pyet se përse këto raporte po e konstatojnë, që në qoftë se vendimi, që sipas saj paska qenë vendimi më i miri deri tash, atëherë çka ka me ndodhë me vendimet e tjera”, theksoi Daka për Demokracia.com.
Me vendim të presidentes Vjosa Osmani, Valdete Daka ishte shkarkuar nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve më 14 qershor të vitit të kaluar. /Demokracia.com/
Raporti i plotë: