Albin Kurti as pas një viti si kryeministër nuk ka arritur të sigurojë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, te aleati më i madh i Kosovës.
Mbase deklarata për “thika mbi harta” në Shtëpinë e Bardhë ka bërë që Kurti të mos jetë i mirëpritur atje, shkruan Demokracia.com.
Hera e fundit kur nga Qeveria folën për ndonjë vizitë të mundshme të kryeministrit në SHBA, këshilltarët e Kurtit thanë se “do të shkojë në pranverë”.
Pranvera erdhi, por në horizont ende nuk duket ndonjë vizitë e Kurtit në SHBA.
Para tij në SHBA shkoi një prej ministrave të tij, përkatësisht ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ai nga SHBA ka postuar lajmin për një takim në Uashington, shkruan Demokracia.com.
Murati është takuar me kryeshefen ekzekutive të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit.
“Kënaqësi të takoj në Washingotn DC znj. Alice P. Albright, kryeshefe ekzekutive e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), dhe ekipin e saj, për të diskutuar rreth Programit Kompakt që parasheh investime mbi 200 milionë dollarë në fushën e energjisë në Kosovë. Republika e Kosovës është përherë falenderuese për mbështetjen e vazhdueshme nga populli amerikan. Jemi partnerë, por edhe miq. Me këto fjalë e përmbyllëm takimin me znj. Albright, mike e madhe e vendit tonë”, ka njoftuar Murati.
E para Kurtit në SHBA do të shkojë edhe presidentja Vjosa Osmani.
Sot u bë e ditur se Osmani në fillim të javës së ardhshme do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në varrimin e mikes së madhe të shqiptarëve ish-sekretares amerikane Madeleine Albright.
Lajmi u konfirmua nga Zyra e Presidentes. Ata kanë konfirmuar se ajo do të ketë edhe disa takime në SHBA.
Osmani javën e ardhshme në SHBA, merr pjesë në varrimin e Madeleine Albright
“Gjatë qëndrimit në SHBA presidentja Osmani do të ketë edhe disa takime të tjera”, kanë thënë nga Presidenca.
Vetëm kryeministri ende nuk arriti ta realizojë ‘ëndrrën’ për një vizitë në SHBA.
Njohës të çështjeve politike thonë se ekziston një ftohje në raportet SHBA-Kosovë, por Kurti në vazhdimësi është munduar ta mohojë këtë.
Por, ai këtë javë ka gjasë të takojë disa senatorë amerikanë, shkruan Demokracia.com.
Ndikimi rus| Pas Serbisë, senatorët amerikanë pritet të vijnë edhe në Kosovë
Pas vizitës në Serbi, senatorët Chris Murphy e Tom Thillis si dhe senatorja Jeanne Shaheen do të vizitojnë Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Murphy tregoi se vizitat kanë të bëjnë me forcimin e marrëdhënieve në rajone të brishta dhe forcimin e marrëdhënieve të këtyre vendeve me SHBA-në.
“Ndërsa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ata do të përpiqen të krijojnë probleme në rajonet e afërta më të brishta”, shkruan Murphy.
“Unë jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje këtë javë me Senatoren Jeanne Shaheen dhe Senatorin Thom Tillis për të forcuar lidhjet e SHBA-së me Ballkanin përballë përpjekjeve të huaja për të minuar paqen”, shtoi ai.
Murphy në takimin e tij me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, në Beograd tha se shteti i tij e kupton lidhjen që ka Serbia me Rusinë, por se kur tani kur duhet renduar qëndrimin me shtetet demokratike, Serbia duhet ta ndërrojë qasjen.
“Uashingtoni i kupton marrëdhëniet historike midis Serbisë dhe Rusisë, por shpreson se Serbia, së bashku me vendet e tjera demokratike, do të marrin pjesë në partneritet për të ndaluar pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia”, tha Murphy.
Siç raporton Tanjug, se ai para gazetarëve tha se është e rëndësishme që të gjitha vendet demokratike në Evropë t’i dërgojnë një mesazh të qartë Rusisë se lufta duhet të ndalet dhe të mbahet përgjegjëse.
Vuçiq pas takimit tha se përmirësimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara, është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë.
Ndryshe, Murphy kishte vizituar Kosovën dhe Serbinë edhe më 2019, në një vizitë së bashku me senatorin Ron Johnson. Por, asokohe vizita kishte nisur nga Kosova./Demokracia.com/