Sport
Fati i Feronikelit në Superligën e Kosovës vendoset këtë fundjavë
Demokracia
15:52 | 19 Prill 2022

Share:

Feronikelin vetëm matematika po e mban ende në garë për mbijetesë në Superligën e Kosovës në futboll këtë edicion. “Industralistët” janë 21 pikë larg pozitës së barazhit, pozitë ajo ku ndodhet Dukagjini.

Deri në fund të edicion kanë mbetur edhe shtatë xhiro për t’u zhvilluar e në që në total i bie se janë edhe 21 pikë për t’u fituar nga ekipet elitare, raporton Demokracia.com.

Kësisoj, duke e parë këtë statistikë, Feronikeli tek në fundjavë edhe matematikisht me shumë gjasë do të “përshëndetet” nga Superliga, pas rreth një dekade aktive në elitë.

Skuadra që po drejtohet nga trajneri Faruk Elshani do të mirëpres Llapin këtë fundjavë në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në kuadër të xhiros së 30-të kampionale. Në anën tjetër, Dukagjini në rast të vetëm një barazimi të mundshëm ndaj Gjilanit, Feronikeli matematikisht bie nga elita dhe sezonin tjetër garat do t’i zhvillojë në Ligën e Parë të Kosovës.

Feronikeli nga Drenasi është i fundit në tabelë me 12 pikë. Drenicasit kanë realizuar vetëm 12 gola këtë edicion, krahas 74 të pranuarve.

Skuadra që dikur përfaqësonte Kosovën në garat evropiane dhe trofetë i “buzëqeshnin” pothuajse në çdo sezon paraprak, ka kaluar një edicion tejet të vështirë.

Me largimin e presidentit, Naser Ramaj, duket se Feronikeli mbeti pa forcë për të vazhduar përpara. Është Komuna e Drenasit ajo që po ju del në ndihmë sadopak, mirëpo as ajo nuk është e mjaftueshme për klubin.

Rënia e Feronikelit në opinionin futbolldashës kosovar u pa në merkaton e verës së vitit 2021. Të gjithë ishin mësuar që Nikli të bënte transferime të bujshme në afatin kalimtar të verës, mirëpo ajo nuk ndodhi.

Problemet financiare me disa lojtarë, bën që Feronikelit t’i bllokohej merkato dhe kësisoj ata regjistruan vetëm disa lojtarë e të cilët u larguan vetëm pas disa muajsh./Demokracia.com/

Të ngjashme