Përderisa në botë po diskutohej për raportimet që ish-senatori Dick Marty, bëri se është kërcënuar me jetë, java që lamë pas në Kosovë pati edhe zhvillime të tjera.
Zyrtarët policorë të Kosovës në veri u sulmuan katër herë radhazi, me mjete nga më të ndryshmet.
Si fillim një prej sulmeve në drejtim të tyre u bë me gurë, duke vazhduar më pas me vendosjen e iriqëve metalikë në rrugën nëpër të cilën ata kalonin rregullisht me automjetet zyrtare.
Por edhe më e rrezikshme u bë situata në momentin kur këta të fundit u sulmuan me granatë dore ( të njohur si granatë ushtarake). E sulmi i fundit në drejtim të tyre gjatë javës së kaluar u raportua se ishte i drejtpërdrejtë, ku zyrtarët policorë u sulmuan me armë zjarri të llojit AK-47.
E pas këtyre sulmeve të njëpasnjëshme, të premten e kaluar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, zhvilluan një konferencë për media në të cilën u dhanë detaje shtesë lidhur me këto sulme.Një ditë më vonë dy shpërthime janë raportuar të kenë ndodhur në Sharpej të Jarinjës, ku edhe gjendet pikëkalimi kufitar Kosovë-Serbi, shkruan lajmi.net.
Në njoftimin e policisë u theksua se nuk raportohet për persona të lënduar, por që ky shpërthim ka ndodhur pranë një veturë të policisë, ndërsa ato janë kryer me mjete piroteknike.
“Sulmet kanë ndodhur afër veturës së policisë e cila ishte në një pikë statike ku policia ishte e përqendruar në parandalim të kontrabandës në atë zonë. Ngjarja ka ndodhur në një pjesë që është afër territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori i Serbisë. Policia ka qenë duke monitoruar një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe e cila përdorej për kontrabandë të mallrave”, thuhet në njoftimin e policisë së Kosovës.
Pas dhënies së detajeve lidhur me katër sulmet e para drejtuar Policisë së Kosovës në veri, ministri Sveçla i cilësoi ato si sulme terroriste.
I njëjti tha se grupe të ndryshme vendosën që të kryenin sulme të njëpasnjëshme në drejtim të zyrtarëve policorë, duke ua rrezikuar jetën në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ministri nuk la pa theksuar se këto sulme mund të kenë lidhje pikërisht me vendimet e fundit të institucioneve të Kosovës, të cilat morën vendim për mbylljen e disa prej rrugëve ilegale të cilat funksiononin në veri, e që në të shumtën e rasteve përdoreshin për kontrabandim.
“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës që të vendos rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës është bërë pengesë për Serbinë, për grupet e caktuara të cilat mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia dhe realisht u prish planet të gjithë atyre të cilët Kosovën e kanë parë si çerdhe të krimeve të tyre.”, theksoi ai.
E pas kësaj, drejtori i PK-së, Mehmeti tha se që nga data 13.04.2022, deri më sot kanë qenë vazhdimisht katër sulme të organizuara në territorin e Kosovës, në një territor ku të gjitha sulmet janë ndërlidhur me njëra-tjetrën.
“Vendet ku janë bërë sulmet janë të ndërlidhura njëra me tjetrën dhe natyrisht kjo na bën me dije se kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka për qëllim të sulmoj dhe të pengojë punën e PK-së, me theks të veçantë të pengojë aksionet tona që kanë të bëjnë me luftën kundër kontrabandë dhe tregtive ilegale që zhvillohen në këtë pjesë të veriut të Kosovës.Me datën 13 prill rreth orës 07:30, në magjistralen Mitrovicë-Zubin Potok më saktësisht patrulla e policisë ka hasur në rrugë, në iriqë gjembor metalik të salduara të cilat shërbeje për të dëmtuar gomat e automjeteve. Ishin vendosur 46 iriq të cilat ishin vendosur për të mundësuar pengimin dhe prishjen e gomave të automjeteve. Ministri iu tregoj disa nga to kjo ka qenë ndarja e iriqëve që të mos kalojë asnjë veturë. Në ora 08:00 bëhet ndërrimi i patrullave tona që funksionojnë atje. Sulmi tjetër ka ndodhur në orën 21:45 në të njëjtën ditë, përkatësisht njësia policore e kufirit derisa ishte duke u kthyer nga përfundimi i ndërrimit, në fshatin Davidovc në afërsi të pikës kufitare në Bërnjak, është sulmuar me gurë automjeti i patrullës policore. Është dëmtuar automjeti, por s’ka pasur të lënduar”, theksoi drejtori Mehmeti.
E në sulmin e ndodhur mbrëmë, drejtori Mehmeti, tha se janë shfrytëzuar diku rreth 30 fishekë, që dyshohet se të shtënat erdhën nga territori i Serbisë.
E ministri Sveçla, nuk la pa u përgjigjur edhe në pyetjen nëse këto sulme kanë të bëjnë apo lidhen me furnizimin e fundit me armë të Serbisë nga Kina.
Me këtë rast Sveçla tha se Serbia vazhdon të jetë vendi i vetëm që nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë, por çfarëdo skenari që të ketë Serbia, Kosova nuk frikësohet.
“Është tashmë e qartë se Serbia po vazhdon me avazin e vjetër, që të armatoset herë nga Rusia herë nga Kina. Serbia është vendi i vetëm në Evropë, jo vetëm në BE, por si kontinent, Serbia është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka zbatuar sanksione ndaj Rusisë për shkak të invazionit rus në Ukrainë, e posaçërisht tash pas daljes së krimeve monstruoze në Ukrainë. Ne si institucione të Kosovës në vazhdimësi kemi bërë ngritjen e kapaciteteve tona, së pari në aspektin politik, jemi duke forcuar marrëdhëniet me shtetet mike, e demokratike, por edhe në aspektin e kapaciteteve operacionale të institucioneve të sigurisë , të të gjithave. Ne nuk i frikësohemi çfarëdo skenari të Serbisë, jemi të gatshëm të përballemi me çfarëdo skenari, posaçërisht kur kemi parasysh përkrahjen e pa rezervë që marrim nga vendet mike. Unë mendoj se qëllimi i Serbisë nuk është në këtë moment të sulmoj Kosovën, por të destabilizoj Kosovën dhe po iu them se situata në përgjithësi është stabile fal institucioneve të sigurisë së Kosovës dhe sjelljes pro-ligjit të shumicës absolute të qytetarëve të Kosovës. Grupet e caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund të rrezikojnë sigurinë e vendit tonë. Tashmë këtë e kemi dëshmuar, e do të vazhdojmë të dëshmojmë për çdo ditë, unë kam besim të plotë jo vetëm në vullnetin por edhe në kapacitetet e Policisë së Kosovës, që të kujdeset për rendin publik në të gjitha komunat, lagjet e rrugët e Kosovës. Jam i bindur se kështu do të vazhdojë.”,shtoi ai.
Pas kësaj, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, tha se zyrtarët policorë të Kosovës janë mbi të gjitha policë, por se në rastet përkatëse pati policë shqiptarë,por edhe serbë.
Mehmeti gjithashtu tha se lidhur me këto sulme ndaj zyrtarëve policorë është njoftuar edhe KFOR-i.
E në një përgjigje të dhënë për lajmi.net, KFOR-i ka bërë të ditur se dënon ashpër sulmet drejtuar zyrtarëve policorë të Kosovës.
Përpos kësaj, u tha se janë të gatshëm të ndihmojnë dhe përkrahin Policinë e Kosovës, kurdo që atyre iu kërkohet.
“Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dënon ashpër sulmet e fundit kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ne konfirmojmë gatishmërinë tonë për të mbështetur Policinë e Kosovës, nëse është e nevojshme dhe e kërkuar.Ne presim që të gjitha palët të veprojnë me përgjegjësi dhe konstruktive, dhe të përmbahen nga veprimet që mund të përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet, të ndikojnë negativisht në sigurinë në Kosovë dhe stabilitetin në të gjithë rajonin.”, thuhej ndër të tjerash në përgjigjen e KFOR-it.
Por reagim më të ashpër patën nga Bashkimi Evropian.
Në reagimin e BE-së u tha se dënojnë sulmin ndaj policëve të Kosovës, por duke porositur institucionet e Kosovës që të mos bëjnë “spekulime të panevojshme”.
Ndryshe kryeministri i vendit, Albin Kurti, deklaroi se këto sulme erdhën nga Serbia, ndërsa kërkoi nga këta të fundit që të kërkojnë falje për këto zhvillime në Zubin Potok.
E nga Presidenca e Kosovës gjithashtu kanë fajësuar shtetin serb, teksa sipas të njëjtëve thuhet se këto veprime të shoqëruara me tentativa dezinformuese synojnë të destabilizojnë situatën e sigurisë dhe atë politike në vend.
E shumë prej njohësve të çështjeve të sigurisë në Kosovë, sulmet ndaj zyrtarëve policorë i kanë cilësuar akte kriminale.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, tha mbrëmë se sulmet ndaj uniformës së Policisë së Kosovës janë sulme ndaj shtetit të Kosovës.
Sipas tij këto sulme erdhën në mënyrë që Serbia të largojë vëmendjen nga çështja e Dick Marty-t.
“Sipas meje kemi të bëjmë me një akt kriminal, me një sulm ndaj patrullave policore, ndaj policëve të Kosovës, në fakt është një sulm ndaj policisë, pra është shqetësim i madh për të gjithë ne.Kemi të bëjmë me policinë e shtetit dhe sulmi ndaj policisë së Kosovës, është sulm ndaj shtetit. Unë i shoh këto të lidhura ngushtë me ngjarjet që po zhvillohen tek ne, në rajon, por edhe në botë. Mendoj se shtetit serb i ka konvenuar që mos të jetë pra temë kyçe tani kërcënimi ndaj Dick Martyt, por të shfrytëzojë elementet kriminale, pra kontrabandistët e ndryshëm që e kanë bërë atë vepër, e që për mu janë shumë të lidhur edhe me strukturat brenda Mitrovicës, por edhe jashtë Kosovës”, tha Qalaj.
Lidhur me këto sulme, eksperti i sigurisë në vend, Nuredin Ibishi, tha se Serbia nuk ka qëllim të invadojë në mënyrë klasike në Kosovë, por sipas tij të destabilizojë vendin patjetër se është qëllim.
“Qëllimi i Serbisë nuk është që të ndërmerr ndonjë lloj sulmi masiv apo invadimi në Kosovë, por të destabilizojë edhe duke përdorur elementet e brendshme ekstremiste”, ka thënë ai.
E për dallim nga ministri Sveçla që e cilësoi si akt terrorist, Ibishi tha se në sulmin ndaj policisë në veri ka elemente të terrorizmit.
“Në sulmin ndaj policisë në veri ka elemente të terrorizmit. Ai sulm nuk ka rrezikuar vetëm policinë doganierët apo inspektorët sanitarë, por edhet qytetarët që kanë qasje në atë rrugë. Pra vendosje e iriqëve apo përdorja e granatës janë elemente të terrorizmit”, theksoi ai.
E zhvillimet e fundit në veri ngritën shqetësimin tek thuajse çdo instancë në vend. Reagime të shumta pati edhe nga partitë opozitare, të cilat kërkuan që këto raste të hetohen dhe që të mos ketë të ngjashme në të ardhmen.
Pas sulmeve të ndodhura në javën e kaluar, ministri Xhelal Sveçla vizitoi veriun, bashkë me bashkëpunëtorë të tjerë nga Policia e Kosovës dhe ministria të cilën ai e drejton.
E nga Ministria e Punëve të Brendshme pas sulmeve të ndodhura në veri kanë publikuar edhe fotografi të shumta, të cilat dëshmojnë se si u sulmuan policët dhe çfarë u gjetë në vendet ku ndodhën këto sulme, të gjitha të afërta me njëra-tjetrën.