Sport
UEFA konfirmoi lajmin e madh për futbollin e Kosovës, reagon edhe Ismet Munishi
Demokracia
14:30 | 18 Prill 2022

Share:

Kampioni i ri i Kosovës në futboll do të marrë pjesë direkt në rrethin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, konfirmoi sot UEFA.

Klubi kampion që do të shpallet në fund të edicioni nuk do të luajë në rrethin e parë parakualifikues, por direkt në kualifikime, shkruan Demokracia.com.

Lajmi u konfirmua edhe nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Rreth këtij lajmi shumë të madh për futbollin e Kosovës, ka reaguar edhe trajneri i Gjilanit, Ismet Munishi. Ai është shprehur i lumtur për shkak se, sipas tij, ai ka kontribuuar gjithmonë në mbrojtjen dhe promovimin e futbollit të Kosovës.

“Më vjen shumë mirë që gjithmonë kam qenë ai që kam kontribuuar, mbrojtur dhe promovuar ligën e Kosovës, shtetit amë. Ndërsa, për ata që e kanë nënçmuar dhe injoruar, ky lajmi i sotit është përgjigjja më e mire”, ka shkruar Munishi në llogarinë e tij në Facebook.

Gjilani nën drejtimin e Ismet Munishit mund ta ketë fatin të marrë pjesë në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve, për faktin se është ende në garë për titull, ndonëse ka më pak gjasa se Ballkani, bazuar në renditjen dhe pikëve në tabelën e klasifikimit.

Sidoqoftë, Gjilani është afër të sigurojë pjesëmarrjen në garën tjetër evropiane, Ligën e Konferencës.

Kujtojmë se Kosova përfaqësohet në garat evropiane nga kampioni, vendi i dytë, vendi i tretë dhe fituesi i Kupës./Demokracia.com/

Të ngjashme