Lajme
Kulmi i hipokrizisë së RTK-së | I largoi nga puna 140 punëtorë dhe do t’i punësojë 4 gazetarë ukrainas
Demokracia
21:46 | 17 Prill 2022

Share:

Radiotelevizioni i Kosovës do t’i punësojë katër gazetarë ukrainas.

Punësimi i katër ukrainasve do të ishte një shembull i jashtëzakonshëm nga mediumi publik, nëse nuk do të ndodhte pushimi nga puna i rreth 140 punëtorëve.

Madje, menaxhmenti i ri i mediumit publik kishte larguar nga puna edhe gazetarë të minoriteteve tjera, duke mos i kursyer fare.

Ishte deputetja Fidan Brina Jılta, e cila ngriti këtë shqetësim duke thënë se Enis Tabak, i cili prej 20 vitesh kishte punuar në RTK në gjuhën turke ishte pushuar nga puna, shkruan Demokracia.com.

Tani Bordi i Radiotelevizionit Publik ka njoftuar se do të hapë katër vende pune për gazetarët nga Ukraina.

RTK-ja ka bërë të ditur se pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për strehimin e 20 gazetarëve nga Ukraina, në koordinim me Qendrën Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF) dhe Federatën Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Bordi dhe Menaxhmenti i Radio Televizionit të Kosovës në mbledhjen e mbajtur të shtunën me datë 16 Prill 2022, kanë vendosur të ofrojnë hapësirat e transmetuesit publik (zyra, tavolina, qasje në internet dhe të gjitha pajisjet përkatëse të punës) për katër gazetarë nga Ukraina.

Sipas njoftimit, Radio Televizioni i Kosovës planifikon t’u ofrojë akomodim në hapësira të punës deri në gjashtë muaj katër gazetarëve ukrainas, të cilët u detyruan të largohen nga vendi i tyre pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

“Në përputhje me dokumentin zyrtar të këtij vendimi, prioritet do të kenë gazetaret gra të cilat do të zgjidhen nga Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ) dhe Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF). Radio Televizioni i Kosovës do të ndajë të gjitha pajisjet e nevojshme në hapësirat e veta të punës si në ndërtesën e televizionit ashtu edhe në atë të radios, ndërsa një bashkëpunim i ngushtë në këtë drejtim do të bëhet me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK)”, thuhet në njoftim. /Demokracia.com/

LEXO EDHE: 

Largimi më masiv nga puna në Kosovë| RTK largon 140 punëtorë prej punës

Të ngjashme