Gripi i shpezëve tashmë është evidentuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, përkatësisht në Francë.
Duke e parë shënimin e këtyre rasteve në këto shtete, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë (AUV), ka marrë të gjitha masat.
Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, ka bërë të ditur për Demokracia.com, se deri më tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të identifikuar.
“Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë përmes Drejtorisë se Shëndetit dhe Mirëqenies se Kafshëve në vazhdimësi përcjellë raportet e OIE-së në lidhje me shëndetin veterinarë në rajone, Evropë dhe me gjerë. Jemi duke e vëzhguar edhe situatën me praninë e sëmundjes se shpezëve HPAI (H5N1) në shtetet përreth dhe në shtetet e Bashkimit Evropian. Për momentin nuk kemi raste të evidentuara të pranisë se kësaj sëmundje në Kosovë”, ka thënë Thaçi për Demokracia.com.
Sipas tij, AUV sikurse në të kaluarën edhe këtë vit do të veprojë njësoj, pra do të ndërmarrë veprimet e nevojshme kundër përhapjes së këtij virusi.
“AUV varësisht nga nevoja dhe rekomandimet që jepen nga organizata për shëndet veterinarë dhe lajmërimet e autoriteteve shtetërore, ndërmerr veprime për ndalesat e importit duke u bazuar në raportet e OIE-së nëse është rrezik potencial për përhapjen e kësaj sëmundje në Kosovë. Ndalesat bëhen për shpezë të gjalla apo produkte me origjinë shtazore me prejardhje nga shpezët”, theksoi Thaçi.
Ai po ashtu ka theksuar se vitin e kaluar vendi ynë ishte i përfshirë nga gripi i shpezëve H5N8, mirëpo që fatmirësisht ky grip nuk ishte transmetuar tek njerëzit.
“Për të gjitha rastet është lajmëruar edhe IKSHPK të cilët kanë monitoruar shëndetin dhe kanë testuar të gjithë anëtaret e familjeve ku janë regjistruar rastet pozitive në shpeze. Të gjitha veprime sipas procedurave dhe protokolleve kur bëhet fjale për sëmundje zoonotike të cilat mund të barten prej kafshëve tek njeriu. Pas analizave të kryera nga rezultatet laboratorike nuk është detektuar asnjë raste i pranisë së kësaj sëmundje tek njerëzit. Virusi i Gripit të shpezëve H5N8 është me patogjernitet shumë më të ulët krahasuar me HPAI (H5N1)”, ka treguar Thaçi.
Ai po ashtu tregoi se gjatë vitit të kaluar për të parandaluar përhapjen e gripit të shpezëve ishin asgjësuar 80 mijë e 304 shpezë dhe rreth 500 mijë euro u ishin kompensuar fermerëve për kafshët dhe shpezët e asgjësuara.
Shpërthimet e gripit të shpezëve në Shtetet e Bashkuara dhe Francë po shtrëngojnë furnizimet globale të vezëve dhe po rrisin çmimet e tyre ndërkohë që Ukraina ka ndërprerë dërgesat në Evropë dhe Lindjen e Mesme. /Demokracia.com/