Kampioni në fuqi i Kosovës, skuadra e Prishtinës të mërkurën (13 Prill) e zhvillon ndeshjen më të rëndësishme të këtij edicioni.
Ekipi “bardhekaltër” përballet me Llapin në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë nga ora 14:00 në kuadër të gjysmëfinales së dytë të Kupës së Kosovës në futboll.
Ndeshja e parë e zhvilluar në Prishtinë përfundoi 2:1 në të mirë të prishtinasve.
Prishtina tash e disa javë të gjitha forcat i ka koncentruar në Kupë pasi që në 100-vjetorin e themelimit synon trofe dhe daljen në arenën ndërkombëtare.
Atmosfera te skuadra kryeqytetase është tejet pozitive.
Për takimin ndaj Llapit për faqen zyrtare të klubit, FC Prishtina ka folur trajneri i skuadrës, Abdulah Ibrakoviq.
“Përparësia dhe motivi i Prishtinës? Për Prishtinën është një sfidë shumë e rëndësishme. Në ndeshjen e së mërkurës ne e kemi avantazhin e rezultatit të ndeshjes së parë. Përparësia jonë për këtë ndeshje është atmosfera tejet pozitive në ekip. Të gjithë janë shumë të motivuar për sfidën e nesërme”.
“Forma? Forma jonë është në rritje dhe lojtarët kanë filluar të pranojnë mënyrën e re të lojës, e cila na jep të drejtën të shpresojmë për rezultate të mira”.
“Plisat? Ata e dinë shumë mirë se janë pjesë vendimtare e FC Prishtinës dhe se me dashurinë e tyre dhe ardhjen në stadium na sjellin lumturi të gjithëve”.
“Mungesat? Përveç Agim Zekës që ka karton të kuq, pjesa tjetër e ekipit është gati për ndeshjen e nesërme”, tha Ibrakoviq për faqen zyrtare të klubit./Demokracia.com/