Sot, Qeveria e Kosovës prezantoi nismën e re e cila parasheh ndihmë nga 100 euro për qytetarët. Kryeministri Albin Kurti tha se nga kjo masë do të shpenzohen rreth 100 milionë euro dhe rreth 800 mijë persona do të jenë përfitues të kësaj ndihme qeveritare.
Sipas tij, vlera totale për këtë ndihmë do të jetë rreth 100 milionë euro, shkruan Demokracia.com.
“Sot po prezantojmë masat e reja në kuadër të Pakos. Kështu që në muajin prill po dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionisteve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, ku nga kjo do të përfitojnë ata që marrin pension bazik, kontribut pagues, për aftësi të kufizuara, të veteranit, e kështu me radhë”, tha Kurti.
Por një ide e tillë ishte prezantuar në vitin 2020 nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Kjo parti kishte kërkuar që ndihma të ndodhte pikërisht në muajin prill.
Idenë që e vodhi, Albin Kurti e kishte kritikuar vet. Ai thoshte se nuk beson që një masë e tillë do të ndihmonte, shkruan Demokracia.com.
“Nuk jemi të gjithë njësoj që të ndihmohemi të gjithë njësoj. Dikush ka nevojë për ndihmë më shumë dhe dikush më pak prandaj shteti ynë duhet të tregoj ndjeshmëri për këtë. Nuk besoj që një masë e tillë do të ndihmonte në këtë kohë”, kishte thënë Kurti për idenë e ndarjes së 100 eurove.
Kujtojmë që në vitin 2020, deputeti i Kuvendit nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) Gazmend Abrashi, ka kërkuar të ndahen nga 100 euro për secilin qytetarë të Kosovës për muajin prill të vitit 2020.
“Të gjendet mundësia që të implementohet propozimimi i AAK-së i muajit Prill që të ndahen nga 100 euro për secilin qytetar rezident të Kosovës ndihmë direkte nga Buxheti i vendit. Shpërndarja të bëhet përmes komunave duke u bazuar në evidencat e ekstrakteve familjare, dhe atë që në fillim të vitit 2021” tha ai.
“Konsiderojmë se kjo do të jetë një ndihmë direkte gjithëpërfshirëse për secilën familje në Kosovë bazuar në numrin e anëtareve të familjes”, përfundoi Abrashi. /Demokracia.com/