Lajme
Qytetari jep 211 euro për vizë zvicerane dhe pret 2 muaj, ia lëshojnë vetëm për 7 ditë shfrytëzim
Demokracia
16:25 | 12 Prill 2022

Share:

Një qytetar i Kosovës për t’u pajisur me një vizë shengen në njërën nga ambasadat e shteteve që janë pjesë e shengen zonës duhet të planifikojë aplikimin të paktën dy muaj më herët.

Për të kapur një termin në ambasadë nevojiten një kallabllak dokumentash e qindra euro shpenzime.

Fillimisht duhet të plotësohet formulari i aplikimit për vizë shengen, pastaj certifikata e lindjes e certifikata e bashkësisë familjare. Një person i punësuar duhet ta ketë me vete edhe kontratën e punës nga punëdhënësi dhe dëshmitë e pagesës së kontributeve pensionale në 6 muajt e fundit.

Ambasada kërkon po ashtu dëshmi të ftesës apo rezervimit të akomodimit dhe bileta e udhëtimit.

Po ashtu ju nevojitet një bilanc i xhirollogarisë bankare si dëshmi që keni mjete të mjaftueshme për udhëtim dhe fotografi në madhësi të pasaportës.

Përveç këtyre dëshmive, ambasada kërkon edhe sigurim shëndetësor për 90 ditë qëndrimi në zonën shengen.

Bashkë me dosjen e dorëzimit të dokumenteve paguhet edhe 80 euro për aplikim në ambasadë dhe 29 euro për kompaninë që bën ndërmjetësimin e dorëzimit të dokumenteve në ambasadë.

Koha më e afërt që duhet të pritet nëse është dhënë viza apo jo është 10 ditë pune.

Totali i procedurës së kompletimit të dokumenteve dhe aplikimit në ambasadë kushton mbi 200 euro.

Radio Evropa e Lirë e ka dokumentuar procesin e mbledhjes së dokumenteve dhe aplikimin për vizë turistike në shtetin e Zvicrës deri te rezultati final i këtij aplikimi.

Zvicra nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por është pjesë e zonës Schengen, ku 26 vende evropiane hoqën kufijtë e tyre të brendshëm, për lëvizjen e lirë dhe të pakufizuar të njerëzve.

147 vende të botës kërkojnë vizë për kosovarët që duan të udhëtojnë në ato shtete.

Të ngjashme