Lajme
Kush është gjenerali i ri i Putin në Ukrainë?
Demokracia
16:22 | 11 Prill 2022

Share:

Gjenerali Alexander Dvornikov, komandanti i distriktit ushtarak jugor të Rusisë, është emëruar si komandant drejtues i fushatës ushtarake të Rusisë në Ukrainë, sipas zyrtarëve amerikanë dhe evropianë, shkruan CNN.

Dvornikov, 60 vjeç, ishte komandanti i parë i operacioneve ushtarake të Rusisë në Siri, pasi Putin dërgoi trupa atje në shtator 2015 për të mbështetur qeverinë e presidentit sirian Bashar al-Assad.

Gjatë komandës së Dvornikov në Siri, nga shtatori 2015 deri në qershor 2016, avionët rusë mbështetën regjimin e Asadit dhe aleatët e tij ndërsa rrethuan Alepon lindore të kontrolluar nga rebelët, duke bombarduar lagje me popullsi të dendur dhe duke shkaktuar viktima të mëdha civile. Qyteti ra në duart e forcave qeveritare siriane në dhjetor 2016.

Nga viti 2000 deri në vitin 2003 Dvornikov shërbeu në fushatën e gjatë ushtarake të Rusisë në Kaukazin e Veriut, duke përfshirë Luftën e Dytë Çeçene, që la në gërmadha kryeqytetin rajonal të Çeçenisë, Grozny.

Forcat ruse kanë përdorur një strategji të ngjashme të ashpër në pjesë të Ukrainës, duke goditur ndërtesat e banimit në qytetet e mëdha dhe duke shkatërruar pjesën më të madhe të qytetit port ukrainas të Mariupol.

Dvornikovit iu dha titulli “Hero i Federatës Ruse” nga Kremlini në mars 2016 për shërbimet e tij.

Emërimi i një komandanti të ri të përgjithshëm për të udhëhequr luftën e Rusisë në Ukrainë duket të jetë një përpjekje për të zgjidhur një problem tjetër që ka penguar forcat ruse: mungesën e koordinimit.

Të ngjashme