Lajme
Sondazhet: Macron dhe Le Pen përballen në raundin e dytë
Demokracia
20:31 | 10 Prill 2022

Share:

Presidenti aktual i Francës, Emmanuel Macron, dhe kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve më 24 prill, sipas sondazheve të para.

Të dielën, francezët votuan në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, ku garuan 12 kandidatë.

Sipas sondazheve të para pas mbylljes së vendvotimeve, Macron ka marr 28.1 për qind të votave, ndërkaq Le Pen 23.3.

Në zgjedhje të drejtë vote kanë pasur 48.7 milionë votues.

Presidenti i ri do të ketë fuqinë që të formësojë Francën dhe rolin e saj kyç në Evropë në pesë vjetët e ardhshëm. Edhe pse zgjedhjet janë lënë në hije nga lufta e Rusisë në Ukrainë, për shumicën e votuesve, çështja kryesore në këto zgjedhje është kostoja e jetesës.

Dy kandidatët kryesorë Macron dhe Le Pen kanë pikëpamje shumë të ndryshme sa i përket politikës së jashtme dhe qasjes ndaj Rusisë, por edhe Bashkimit Evropian. Po ashtu ata kanë edhe pikëpamje të ndryshme lidhur me financat publike apo për investitorët e huaj.

Një fitore e Macronit do të thoshte një vazhdimësi për Francën, ndërkaq një fitore e Le Pen do të nënkuptonte ndryshime të mëdha.

Tani që Britania është larguar nga BE-ja, Franca është fuqia kryesore ushtarake e bllokut. Po ashtu, është ekonomia e dytë më e madhe, dhe largimi nga politika e ish-kancelares gjermane, Angela Merkel, i ka dhënë Macronit një rol më të rëndësishëm në Evropë. Një fitore e Le Pen do ta përplaste Francën me partnerët e BE-së.

Shqetësimet kryesore për votuesit, sipas sondazheve, janë rritja e madhe e çmimeve të energjisë dhe rritja e inflacionit. Sondazhet po ashtu tregojnë se votuesit janë të pakënaqur me politikat ekonomike të Macronit, edhe pse niveli i papunësisë është më i ulëti ndër vite. Po ashtu, mënyra sesi Macron ka menaxhuar pandeminë e koronavirusit, pritet të luajë rol në këto zgjedhje, pavarësisht se kufizimet kundër COVID-19 pothuajse janë hequr të gjitha.

Të ngjashme
Lajme • 22 Prill 2025