OpEd
Pse Ukraina e ka fituar të drejtën për t’u anëtarësuar në NATO?
Demokracia
15:41 | 10 Prill 2022

Share:

Nga José Ignacio Torreblanca “European Council on Foreign Relations”

Askush nuk e di se si dhe kur do të përfundojë lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Mund të jetë një luftë e gjatë ose e shkurtër. Mund të përfundojë me ndarjen e Ukrainës, apo me humbjen e Rusisë. Çdo ditë që kalon sjell më shumë prova mbi një argument që e përdori dikur Robert Meknamara, Sekretari amerikan i Mbrojtjes gjatë Krizës së Raketave Kubane: që nga fillimet e njerëzimit, çdo udhëheqës ushtarak që është përfshirë në një luftë, e ka ditur se pavarësisht se sa me kujdes është planifikuar, rezultati i çdo lufte është në thelb i pasigurt.

Megjithatë, një gjë e sigurt për Evropën, është shkatërrimi i rendit ekzistues të sigurisë. Kjo e bën fillimin e pushtimit të Putinit më 24 shkurt 2022, po aq të rëndësishëm sa rënia e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, pushtimin e Polonisë nga Adolf Hitleri më 1 shtator 1939, dhe shpallja e luftës nga Austro-Hungaria ndaj Serbisë më 28 korrik 1914.

Me pushtimin e Ukrainës, Rusia ka dështuar të përmbushë angazhimet e saj të gjera për të respektuar integritetin territorial të shteteve të tjera (sipas nenit 2 pika 4 të Kartës së OKB-së dhe në nivel evropian, Aktit Final të Helsinkit të vitit 1975).

Po ashtu Moska ka shkelur marrëveshjet që nënshkroi dikur me Kievin për të mbrojtur integritetin territorial të Ukrainës:Traktatin e Minskut që zyrtarizoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik në dhjetor 1991; Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, në të cilin Ukraina ra dakord t’i dorëzonte Rusisë armët e saj bërthamore në këmbim të një garancie tjetër sigurie; dhe Traktati i Miqësisë i vitit 1997 midis Rusisë dhe Ukrainës, që rikonfirmoi angazhimet e të dyja palëve për integritetin territorial.

Më shumë se një muaj pas luftës, një gjë tjetër e sigurit është se agresioni i pajustifikuar dhe brutal i Rusisë, e ka rrëzuar përfundimisht narrativën ruse se ajo e nisi pushtimin për të mbrojtur sigurinë e vet. Argumentet e rreme të Moskës mbi zgjerimin e NATO-s dikur, bindën në fillim shumë vëzhgues dhe ekspertë perëndimorë.

Por tani diskutimi mbi të ardhmen e sigurisë evropiane është kthyer përmbys. Siç tregohet nga agresioni dhe kërcënimet e Rusisë për përdorimin e armëve të saj bërthamore, kjo luftë ka qenë e mundur për shkak se fuqitë konvencionale dhe bërthamore të vendit, e bënë atë të ndihej i sigurt nga pasoja të tjera përveç sanksioneve ekonomike të Perëndimit dhe furnizimeve të kufizuara me armë ndaj Ukrainë (të cilat synonin të shmangnin rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm).

Që nga 24 shkurti, Rusia e ka bërë të qartë se siguria e saj garantohet nga rreth 6000 armë bërthamore që zotëron, si dhe nga gatishmëria e saj për t’i përdorur ato në mbështetje të sulmit të saj kundër vendeve të tjera.

Por duke përdorur kërcënimet bërthamore për ta penguar NATO-n dhe vendet e tjera, që t’i vijnë në ndihmë një shteti anëtar të OKB-së, që ka pësuar një sulm të paligjshëm dhe të pajustifikuar, Rusia i ka ndryshuar rregullat e lojës.

Fuqitë bërthamore kanë rezervuar tradicionalisht të drejtën, për të përdorur armë bërthamore në kundërpërgjigje të një sulmi konvencional apo bërthamor. Por shumë shpejt u kuptua se fuqitë bërthamore do t’i përdornin aftësitë e tyre bërthamore vetëm, për të penguar fuqi të tjera të tilla, dhe jo për të abuzuar me shtetet jo-bërthamore.

Gjatë Luftës së Ftohtë, shumë konflikte rajonale midis aleatëve të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik u zhvilluan në Afrikë, Amerikën Latine dhe Azi. Dhe që të dyja superfuqitë u pajtuan me përpjekjet për ta armatosur palën tjetër me të gjitha llojet e armëve konvencionale.

Ky furnizim nuk kufizohej vetëm tek raketat antitank dhe kundërajrore, siç ndodh sot në Ukrainë, por përfshinte edhe avionë luftarakë, sisteme të avancuara kundërajrore dhe automjete të blinduara. Për më tepër, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik trajnuan dhe mbështetën hapur ushtritë e aleatëve të tyre, duke vendosur atje këshilltarë ushtarakë. Prandaj, pas pushtimit të Afganistanit nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1979, SHBA-ja i armatosi vazhdimisht afganët, pa çuar në një përshkallëzim bërthamor të konfliktit. Edhe sot, Irani armatos vazhdimisht milicitë shiite irakiane, që luftojnë ndaj ushtarëve amerikanë. Por sërish kjo nuk ka çuar në kërcënime bërthamore.

Por duke qenë se Rusia e Putinit i ka zhytur aleatët dhe fqinjët e Ukrainës në një gjendje të përhershme pasigurie, ne nuk mund të vazhdojmë të përdorim kategoritë e vjetra për të menduar mbi të ardhmen e sigurisë evropiane.

Imagjinoni nëse Rusia dhe Ukraina arrijnë një marrëveshje paqeje që përfshin copëzimin poshtërues të territorit ukrainas, mbi bazën e politikës së uljes së tensioneve (një politikë që ka pasur pasoja të tmerrshme që nga viti 2014).

Pyetja është: çfarë garancie sigurie mund të ofrojë Rusia, se nuk do të pushtojë sërish Ukrainën pas 2 vitesh, pasi të jenë hequr sanksionet, dhe me ekonominë e saj të përgatitur më mirë, duke e përdorur kohën për t’u shkëputur nga Perëndimi dhe për t’u strehuar në aleancën me Kinën?

Ose çfarë do ta pengonte Putinin të pushtonte Moldavinë ose Gjeorgjinë, apo edhe një Bjellorusi demokratike që mund të ketë rrëzuar më në fund Llukashenkon, dhe që do të kërkojë ta garantonte sigurinë e saj duke e kthyer kokën nga NATO dhe Bashkimi Evropian?

Një rend i ri i sigurisë evropiane do të jetë i mundur vetëm kur Perëndimi të gjejë një mënyrë për ta mbrojtur integritetin territorial të të gjitha shteteve, përfshirë edhe atyre që aktualisht nuk janë anëtarë të NATO-s apo BE-së.

Kjo do të ndodhë vetëm nëse këto shtete bëhen anëtare të NATO-s, e pranojnë vendosjen në territorin e tyre të forcave të përhershme të SHBA-së ose NATO-s, ose siç kanë bërë Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut, vendosin ta sigurojnë integritetin e tyre territorial duke u pajisur me armë bërthamore.

Nga të gjitha këto opsione, anëtarësimi në NATO është më i miri për Ukrainën. Duke pasur parasysh madhësinë e arsenalit bërthamor rus, Moska do të ishte e sigurt se anëtarët e NATO-s nuk kanë ndërmend ta pushtojnë territorin e saj (një sulm i tillë do të garantonte përdorimin e armëve bërthamore).

Njëkohësisht, Moska do ishte e vetëdijshme se çdo pushtim konvencional i Ukrainës që do të çonte në ndarjen e vendit, do të përballej me përdorimin nga NATO-s të armëve bërthamore jo-strategjike (ashtu si një pushtim i shteteve baltike apo Polonisë).

Rusia e ka shkatërruar rendin ekzistues të sigurisë evropiane, dhe e ka zëvendësuar atë me një kaos, në të cilin ajo po përdor forcat e saj konvencionale dhe bërthamore për të vendosur për fatin e fqinjëve të saj. Evropianët nuk mund t’u besojnë më premtimeve të Rusisë, se do të respektojë integritetin territorial të fqinjëve të saj.

Njëkohësisht, Perëndimi duhet t’i marrë seriozisht kërcënimet bërthamore të Putinit. Në përgjithësi, një rend i ri i sigurisë evropiane i denjë për këtë emër duket ende i largët. Për ta ndryshuar këtë situatë, ne duhet ta pranojmë se siguria e Ukrainës dhe e Evropës mund të garantohet vetëm nga anëtarësimi në NATO dhe BE, dhe përmes parandalimit bërthamor kundër ambicieve perandorake të Moskës.

Të ngjashme