Paraja ishte “çelësi” për të kaluar çdo gjë, edhe vetë, në pikën kufitare të Morinës. Disa ditë më parë, Dosja.al raportoi e para detajet më të fundit lidhur me aksionin e zhvilluar disa ditë më parë në Kukës, ndërsa sot ka zbardhur skemën e kapjes të efektivëve. Burime për Dosja.al bëjnë me dije se aksioni është zhvilluar në një moment kur punonjësit e kufirit ishte mbledhur për të bërë analizën e 3-mujorit të parë të vitit, lidhur me rezultatet e punës.
E pikërisht në atë moment, hetuesit e SPAK, agjentët e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe efektivët e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Teksa bënin analizën, disa prej tyre dëshmuan edhe prangosjen e kolegëve të tyre, të cilët u merrnin lekë nën dorë qytetarëve dhe më pas ryshfetin e ndanin me njëri-tjetrin.
Edhe pse kishin nuhatur se po i vëzhgonin, sërish duket se efektivët e Policisë së kufirit nuk e kanë pritur që aksioni të kryehej në momentin kur ndodhi.
Në ditën e një prej mbledhjeve më të rëndësishme të vitit. Disa ditë më parë ata kishin pikasur kamerat përgjuese dhe mikrofonët e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe i kishin thyer, por tepër vonë.
Ato kamera kishin zbuluar qindra raste korrupsioni, me zë e figurë, madje dhe momentin kur ndanin paratë me njëri-tjetrin.
Bazuar në njoftimin e SPAK, dyshohet se efektivët shqiptarë por edhe ata të Kosovës për muaj të tërë u kanë mundësuar dhjetëra qytetarëve kalimin kufitar në mënyrë të parregullt, madje kalonin edhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk i regjistronin fare në sistemin TIMS, por vetë merrnin si fitim deri në 8000 euro në ditë.
Ky ishte operacioni i dytë që zhvillohet për të njëjtin qëllim. Operacioni ‘Pika 1’ u finalizua më 14 mars, ku 48 zyrtarë policorë u ndaluan pasi dyshoheshin për “marrje ryshfeti” dhe “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.