Lajme
Kryeministri Kurti tregon se nuk është agjerueshëm, drekon me kryeministrin grek
Demokracia
21:22 | 09 Prill 2022

Share:

Në përmbyllje të Forumit Ekonomik të Delfit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në drekën e shtruar nga kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Në drekë ishin të pranishëm kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq, kryetari i Qeverisë së Bosnje Hercegovinës, Zoran Tegeltija dhe kryeministri i Bullgarisë, Kiril Petkov.

Kjo drekë tregon se kryeministri Kurti nuk është agjerueshëm, edhe pse ai njihet për afërsi, sidomos para zgjedhjeve, me hoxhallarë e imamë të rrymave të ndryshme në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Madje ai në fushatë zgjedhore pati publikuar edhe fotografi duke ngrënë pasul me hoxhën e Drenasit, Osman Musliu.

Zyra e Kurtit nuk ka dërguar fotografi nga dreka me kryeministrin grek dhe kryeministrat tjerë.

Kurti në Greqi ndodhet që disa ditë bashkë me shefen e diplomacisë, Donika Gërvalla.

Kjo është hera e dytë që Kurti merr pjesë në Forumin e Delfit, derisa vitin e kaluar pati qëndruar atje shtatë ditë duke pushuar edhe me familjen e tij.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, gjatë drekës u bisedua për intensifikimin e bashkëpunimit rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon, pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë, si dhe për ndihmën që të gjithë duhet t’i japim popullit ukrainas.

Në veçanti u diskutua për luftimin e korrupsionit, demokratizimin dhe integrimin evropian, si shtylla të domosdoshme për paqe e prosperitet në Ballkan.

Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, kryeministri Kurti tha se është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në strukturat e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.

“Që në fillim të agresionit dhe invazionit rus në Ukrainë, Kosova dhe populli i saj e kanë dënuar dhe janë bashkuar me botën demokratike, në përkrahje të luftës çlirimtare të popullit të Ukrainës”, tha kryeministri Kurti.

Qeveria e Republikës së Kosovës për të ndihmuar popullin ukrainas ka ofruar strehim për 5.000 refugjatë dhe  20 gazetarë ukrainas. /Demokracia.com/

Të ngjashme