Lajme
Rahimaj merret me Kastratin, e ‘harron’ vendim e Kushtetueses për shkelje të bashkëpartiakes së tij
Demokracia
22:38 | 08 Prill 2022

Share:

Sot, Gjykata Kushtetuese ka gjetur se ministrja Arbërie Nagavci ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021 ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga Qëndron Kastrati.

Por, duket se Lëvizja Vetëvendosje nuk po mund të pajtohet assesi me vendimin e drejtësisë pasi s’ishte në anën e saj.

Pas ministres Nagavci, edhe kryetari i komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka reaguar.

Por Rahimaj më shumë është marrë me Kastratin sesa me shkeljen Kushtetuese të bashkëpartiakës së tij, ministres Nagavci.

Ai përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se iniciativa e Kastratit nuk e ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve dhe ka prodhuar dëme të pa-riparueshme te fëmijët dhe në tërë sistemin arsimor komunal.

Postimi i tij i plotë:

Iniciativa që krijoi pasoja të pariparueshme në shumë drejtime

As ndërtimi i kauzës politike e as qëndrueshmëria në politikë nuk mund të bëhet mbi kurrizin e të tjerëve, aq më pak mbi fëmijët. Duhet ta kemi të qartë se në politikë përfaqësohen interesa të qytetarëve dhe asnjëherë imazhe politike personale.

Komuna e Kamenicës është përballur me një iniciativë të pamenduar mirë, që nuk ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve dhe ka prodhuar dëme të pa-riparueshme te fëmijët dhe në tërë sistemin arsimor komunal.

Vendimi i Ministres znj. Arbërie Nagavci, i datës 23.04.2021, ka siguruar një të drejtë, kushtetuese, ligjore e cila ishte mohuar nga ish pushteti për më shumë se 441 nxënës të Komunës së Kamenicës, apo 20% të tërësisë së nxënësve.

Vendimi nuk kishte asnjë interferim të brendshëm mbi organizimin e sistemit arsimor komunal. Përveç se kishte ofruar mësim alternativ ose të përshpejtuar për humbjet e mëdha që kishin pësuar 441 nxënës.

Ishin humbur 1,506 ditë mësim dhe mbi 78,475 orë mësim nga kjo iniciativë. Kjo gjendje do duhej të na shqetësojë të gjithëve, përveç atyre egove të sëmura për figura personale.

Ndërsa në pak muaj të qeverisjes kemi larguar mbi 200 orë mësimore jo legjitime dhe 40 mësimdhënës ishin paguar me paga të plota pa u angazhuar fare, që nënkuptohet se janë 800 orë mësimore jo legjitime brenda sistemit arsimor komunal.

Duke sanuar gjendjen e krijuar brenda Drejtorisë Komunale për Arsim, në pak muaj qeverisje kemi arritur që të kursejmë ose të ulim shpenzimet e pagave për 13 mijë euro për çdo muaj, duke eliminuar orët jo legjitime. Në vitin 2020/21 ishin shpenzuar 240 mijë euro për transport që nuk shfrytëzohej nga nxënësit, ndërsa për vitin 2021/22 kemi ndërprerë këtë kontratë duke kursyer 70 mijë euro buxhetit komunal.

Në muajin dhjetor 2021, kemi pranuar një raport 182 faqësh nga Inspektorati Regjional i Arsimit, brenda të cilit janë 194 konstatime dhe 149 rekomandime. 58 pika të këtij raporti, ku janë konstatuar shkelje ligjore janë dorëzuar në organet e drejtësisë.

Kjo është pasqyra më e mirë e ish qeverisjes.

Të ngjashme