Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për rreth shtatë minuta ka zgjedhur ta bëjë një përmbledhje të “sukseseve” të qeverisjes së tij, ani pse u ftua të flasë për Ballkanin Perëndimor dhe luftën Rusi-Ukrainë.
Kurti të premten ka qenë i fundit që ka folur në Forumin Ekonomik në Delphi të Greqisë.
Gazetarja e Politico-s, Nektaria Stamouli, i tha që t’i bënte disa komente të shpejta, por kryeministri Kurti mori gjithë kohën që të lavdërohej, përcjell Demokracia.com.
Për gati 7 minuta, Kurti ka folur për qeverisjen e tij gjatë një viti, duke pretenduar se ka qenë një periudhë shumë e suksesshme për Kosovën. Megjithatë, ai nuk e përmend fare izolimin e kosovarëve, rritjen e çmimit të rrymës dhe shumë produkteve, mosmbajtjen e premtimit për rritjen e pagave e shumë të tjera.
“Ka qenë një vit shumë i mirë për Kosovën. E kemi menaxhuar mirë pandeminë Covid-19. Nuk kishte vaksina kur fillova punën si kryeministër dhe nuk kishte kontrata për vaksina. Nuk e kemi konsideruar asnjëherë të marrim vaksina nga Rusia dhe Kina, por vetëm nga ato që ishin të verifikuara nga organizatatat në Europë dhe SHBA. Kemi pasur rritje të ekonomisë prej 10 për qind. Kjo është më e larta që nga shpallja e pavarësisë… Kur njerëzit janë optimist, ata më parë shpenzojnë sesa që ruajnë… Kemi bërë shkollimin publik falas edhe në universitete, kemi rritur pensionet prej 11 për qind, sidomos ato për invalidët. Kemi dhënë ndihma për nënat e reja dhe fëmijët… Kemi luftuar korrupsionin këtë vit, si asnjëherë tjetër, që prej kur jemi pavarësuar… Kemi subvencionuar naftën për bujqit për litrën e naftës, duke e përllogaritur me hektarë të tokës së punuar. Kështu duam të ndihmojmë ata që duan të prodhojnë, sidomos ata në agrikulturë. Kemi menaxhuar që të inaugurojmë ferma me erë… Dua ta theksoj faktin se kemi rritur buxhetin për mbrojtje, sepse duam të anëtarësohemi në NATO, duam të bashkohemi edhe në BE, por besojmë që për shkak të faktorëve fillimisht do të anëtarësohemi në NATO e më pas në BE”, ka thënë Kurti, përcjell Demokracia.com.
Me gjithë këto deklarata e lavdërime që ia bëri qeverisë së tij, Kurti i ka lënë kohë gazetares në Forumin Ekonomik të Delphi që t’ia bëjë vetëm tre pyetje.
Në fund, Stamouli i ka thënë Kurti se duhet t’ia bëjë një pyetje shumë të shpejtë, pasi që nuk ka më kohë./Demokraica.com/
Shikojeni videon nga minuta e 17-të