Lajme
Sot pritet të mbahet seanca e radhës e rigjykimit ndaj Naser Pajazitajt
Demokracia
09:30 | 08 Prill 2022

Share:

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sot pritet të mbahet seanca e radhës e rigjykimit ndaj të akuzuarit Naser Pajazitaj, i cili ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Donjeta Pajazitajt më 2015 në Deçan.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, më 17 mars 2022, Gjykata e Apelit e ka hudhur si të palejuar kërkesën e avokatit të Pajazitajt, Gëzim Kollçaku, për përjashtimin e trupit gjykues.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 qershor 2017 nga prokurorja Valbona Disha Haxhosaj, Naser Pajazitaj po akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit, Komuna Deçan e pikërisht në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë“, i pandehuri edhe pse më parë ka qenë i dënuar për vrasje, me dashje dhe me armë dhe atë revole të tipit të panjohur në mënyrë mizore e ka privuar nga jeta viktimën Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Pajazitaj e ka bërë në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë në këmbë së bashku me axhën e saj dhe kur kanë arritur tek bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty pari kalon i pandehuri Naser Pajazitaj me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” fillimisht e privon me armë duke shtënë dy herë në kokë, e më pas për të humbur gjurmë të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse viktima më 27 dhjetor 2015 është gjetur pa shenja jete në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Sipas aktakuzës, Pajazitaj akuzohet se më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc Komuna e Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie me numër serik 0193117 si dhe 12 fishekë të kësaj pushke , në atë mënyrë që më revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës më parë dhe gjerë më 23.05.2017, në fshatin Strellc i Ulët Komuna e Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një armë AK-47 me numër serik 120331141 dhe 2 karikator të zbrazet, ashtu që policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit në dhomën e fjetjes ka gjetur dhe sekuestruar armën e cekur si më lartë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë” nga neni 179 i KPRK–së dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së.

Të ngjashme