Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë reaguar sërish Kosovës, pasi nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe më 3 prill.
Këshilltarja politike e misionit të SHBA-së në OSBE, Elisabeth Rosenstock-Siller, ka thënë se mirëpresin bashkëpunimin e Qeverisë serbe me misionin vëzhgues gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe atyre për Kuvend, përcjell Demokracia.com.
Këshilltarja politike ka thënë se SHBA-ja ndihet e zhgënjyer, pasi nuk është gjetur një zgjidhje mes Kosovës e Serbisë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Siç e kemi bërë të qartë para zgjedhjeve, ne kishim shpresuar se Kosova do të lehtësonte pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës me të drejtë në zgjedhjet serbe përmes vendvotimeve, siç kishte bërë në të kaluarën. Jemi të zhgënjyer që nuk mund të gjendej një zgjidhje pragmatike. Thënë kështu, ne e kuptojmë se një numër i madh i serbëve të Kosovës demonstruan përkushtimin e tyre ndaj procesit zgjedhor, duke udhëtuar në Serbi për të hedhur votën e tyre. Që të jemi të qartë, qëndrimi i SHBA-së është se është e drejta e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran që të mund të vendosë kushtet me të cilat zhvillohen zgjedhjet e shteteve të tjera sovrane në territorin e saj. Ne besojmë se është për të ardhur keq që Kosova nuk është anëtare e këtij organi dhe për këtë arsye nuk është në gjendje të flasë vetë. Mezi presim ditën kur Kosova të jetë shtet pjesëmarrës i kësaj organizate dhe kjo mund të ndodhë”, ka thënë ajo në Këshillin e Përhershëm të Organizatës në Vjenë.
Në fund, Rosenstock-Siller ka thënë se SHBA-ja përsërit thirrjen ndaj Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo veprim që rrit tensionet mes dy vendeve, përcjell Demokracia.com.
Ndërkohë, Aleksandar Vuçiq, përkrahësi i presidentit rus Vladimir Putin, ia ka dalë të zgjidhet president i Serbisë edhe për një mandat tjetër.
Serbë të shumtë e kanë festuar fitoren e tij me armë, duke prishur kështu rendin.
Shqiptarët, fatkeqësisht kanë mbetur pa përfaqësues në Kuvendin e Serbisë, pasi që nuk ia dolën ta kalojnë pragun. Vlen të përmendet se deputeti i deritanishëm Shaip Kamberi nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” ishte shumë afër sigurimit të mandatit të dytë./Demokracia.com/