Lajme
“Posta nën hetime”, ish-bordi i përkohshëm i saj dhe kryeshefja Fakete Kadiu dyshohen se tejkaluan autorizimet ligjore
Demokracia
11:48 | 08 Prill 2022

Share:

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për Demokracia.com se është duke zhvilluar hetime për keqpërdorime të detyrës zyrtare nga disa zyrtarë që janë pjesë e menaxhmentit dhe ish-bordit të përkohshëm të Postës së Kosovës.

Demokracia.com kishte raportuar në lidhje me skandalin e mitmarrjes në Postë, të cilin fillimisht kishte hezituar ta raportonte tek organet e hetuesisë U.D. Kryeshefja e Postës, Fakete Kadiu.

Ajo e kishte injoruar një pretendim serioz të një zyrtari të Postës së Kosovës, që implikonte dy punonjës postarë në marrje e dhënie të mitos, duke kërkuar dëshmi të qëndrueshme.

Demokracia.com kishte publikuar një korrespodencë të zyrtarëve të Postës së Kosovës rreth kësaj çështjeje.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në një përgjigje me shkrim për Demokracia.com, ka konfirmuar se është duke u zhvilluar procedurë hetimore ndaj kësaj çështjeje, por pa dhënë detaje shtesë, siç kanë thënë ata, për shkak të ruajtjes së integritetit të hetimeve.

“Ashtu siç ju njoftuam, prokuroria është duke e trajtuar këtë rast dhe meqenëse është duke u zhvilluar procedurë hetimore ndaj kësaj çështje penale, në këtë fazë nuk mund të japim informata shtesë me qëllim të ruajtjes së integritetit të hetimeve”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Demokracia.com.

Po ashtu, Themelorja ka konfirmuar për Demokracia.com se është duke u zhvilluar procedurë hetimore edhe ndaj Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës dhe Kryeshefes Ekzekutive, Fakete Kadiut. Kjo pasi ish-drejtori i Operativës në Postën e Kosovës, Faton Thaçi, kishte bërë kallëzim penal për tejkalim të autorizimeve nga ana tyre.

Po ashtu, në nëntor të vitit të kaluar, një kallëzim penal tjetër ishte bërë sërish ndaj U.D. Kryeshefes së Postës dhe U.D. Drejtorit të Burimeve Njerëzore në Postën e Kosovës, Petrit Karakashit, për shkelje të kapitullit të Kodit Penal në fuqi për vepra penale nga marrëdhënia e punës.

“Referuar pyetjeve të parashtruara nga ana juaj ju njoftojmë se ndaj subjektit për të cilin keni pyetur, kjo prokurori është duke zhvilluar procedurë hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Demokracia.com.

Thaçi ishte suspenduar nga detyra në gusht të vitit të kaluar nën arsyetimin se ndaj tij ka një aktakuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare në kohën sa ishte Zëvendësministër i Tregtisë.

Pas suspendimit, ai kishte akuzuar bordin dhe u.d. kryeshefen se ishte suspenduar me urdhër të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

“Gijotina politike e urdhrave arbitrar politik nga sunduesit e partisë në pushtet LVV, në radhën e eliminimit politik, hakmarrjes dhe revanshit një ditë më parë në Postën e Kosovës kanë vendosur për largimin tim nga detyrat e punës si punonjës i rregullt më mbi 13 vite në Postën e Kosovës”, kishte thënë Thaçi.

Ai kishte ushtruar kallëzim penal ndaj Kryeshefes së Postës së Kosovës edhe personave të tjerë të involvuar në suspendimin e tij. /Demokracia.com/ 

LEXO EDHE:

DOKUMENTE | Kryeshefja e Postës fsheh nga organet e hetuesisë një rast të mitmarrjes

 

Të ngjashme