Lajme
Kuvendit të Kosovës i kërkohet të mbajë seancë lidhur me Gjykatën Speciale
Demokracia
15:31 | 07 Prill 2022

Share:

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut duke përmendur refuzimin e të gjitha rasteve nga Gjykata e Apelit e Gjykatës Speciale Ndërkombëtare në Hagë, ka vlerësuar se Gjykata Speciale po i “dhunon” brutalisht të drejtat dhe standardet ndërkombëtare. 

KLMDNJ përmes një reagimi ka thënë se akterët politikë në Kosovës, me heshtjen apo mosveprim ndaj shkeljejeve flagrante të drejtave të njeriut, po bëhen pjesë aktive e këtij dhunimi, përcjell Demokracia.com.

Sipas KMDLNj-së, deputetët duhet ta shtrojnë këtë çështje në një nga seancat, nëse vërtetë mendojnë se Kuvendi i Kosovës është themelues i kësaj Gjykate.

“Nuk mjaftojnë vizitat familjare që i bëjnë zyrtarë të institucioneve dhe të cilat gjithashtu injorohen nga kjo Gjykatë për të dëshmuar përkushtimin dhe interesimin për shtetasit e arrestuar e që po mbahen peng. Përkundrazi , këto vizita janë të dëmshme për të burgosurit sepse krijon një iluzion publik se ata po trajtohen mirë dhe se respektohen të drejtat e njeriut e që nuk është aspak e vërtetë”.

“Deputetët e Kosovës duhet të thërrasin në interpelancë këta zyrtarë , përfitues të çastit dhe të marrin përgjigje për rezultatet konkrete që ndikojnë në përmirësimin e kushteve dhe transferimin e të burgosurve në Kosovë , më afër familjeve me ç’rast edhe do të ruheshin lidhjet familjare sikur edhe do të kursehej Buxheti i Kosovës”.

“Nuk ka asnjë logjikë dhe kuptim që Nasim Haradinaj , Hysni Gucati të mbahen në paraburgim në Hagë kur gjykimi i tyre ka përfunduar për një vepër për të cilën më shumë kanë përgjegjësi Zyra e Prokurorit të Specializuar që për shkaqe korruptive apo politike kanë lejuar, mundësuar dhe menaxhuar rrjedhjen e dokumenteve të ndjeshma, prejardhja e të cilave është kryesisht nga Serbia”, thuhet në reagim./Demokracia.com/

Të ngjashme