Pesë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë simptoma të helmimit nga ushqimi në kazermën “New Born” në Gjilan.
Demokracia.com nga burime brenda FSK-së merr vesh se afër 30 pjesëtarë të FSK-së deri më tani i kanë kryer analizat mjekësore, pasi që kanë pasur të vjella e diarre.
Ndërkohë, lajmin e kanë konfirmuar edhe nga Ministria e Mbrojtjes, shkruan Demokracia.com.
“Njoftim lidhur me informacionet që kanë qarkulluar për dyshimin e helmimit në ushqim të 5 pjesëtarëve të FSK-së. Pas qarkullimit të informacioneve të sotme, për dyshimin e helmimit në ushqim të 5 pjesëtarëve të FSK-së, Ministria e Mbrojtjes, njofton si në vijim: Me të marrë informacionin, SHP i FSK-së ka marrë masat e duhura sipas procedurave standarde operative dhe deri më tani kemi të konfirmuar se të gjithë pjesëtarët që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, tani janë shëndosh e mirë dhe nuk ka asnjë arsye për shqetësim”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se përmes mekanizmave zyrtarë mjekësorë dhe në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), janë marrë mostrat e ushqimit dhe janë duke pritur rezultatet e analizave që do të mundësojnë identifikimin e shkaktarëve të mundshëm, që kanë rezultuar me çrregullimin shëndetësor të ushtarëve.
Kjo nuk është hera e parë që pjesëtarë të FSK-së, por edhe të Policisë së Kosovës për ushqimin e të cilëve është e kontraktuar kompania “Beni Dona” e biznesmenit Ragip Mustafa, helmohen nga ushqimi. /Demokracia.com/