Komisioni i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës ka inicuar procedurë disiplinore ndaj drejtorit sportiv të Dritës, Valon Zymberit për dy rast.
Sipas njoftimit, Zymberi në rastin e parë kishte ofenduar gjyqtarin kryesor të takimit kundër Ulpianës. Zymberi thuhet se iu drejtua gjyqtarit me fjalët “Ju po vini me misione të caktuara për ta dëmtuar Dritën”.
E në rastin e dytë, gjithnjë sipas njoftimit, Zymberi kishte shprehur mosbesim kur preku me dorë topat e vendosura në fazo gjatë shortit për ndeshjet gjysmëfinale të Kupës, duke shprehur mosbesim në Komisionin e Garave në prezencë të përfaqësuesve të klubeve, gazetarëve dhe kamerave televizive.
“Inicim disiplinor ndaj: Drejtorit sportiv të FC ”Drita” Valon Zymberi. MOTIVI: Pas përfundimit të ndeshjes, rrugës për në zhveshtore kishte ofenduar gjyqtarin kryesor të ndeshjes me fjalët ”Ju po vini me misione të caktuar për ta dëmtuar Dritën”. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Ulpiana – Drita”.
“Po ashtu drejtori sportiv i FC ”Drita” Valon Zymberi me rastin e hedhjes së shortit për gjysëmfinalen e kupës së Kosovës, kishte ofenduar Komisionin e Garave duke i verifikuar (prekur me dorë) topat pasi ishin vendosur në vazo, me çka kishte shprehur mosbesim në Komisionin e Garave në prezencë të përfaqësuesve të klubeve, gazetarëve dhe kamerave televizive”, thuhet në njoftimin e lëshuar në uebfaqen e FFK-së. /Demokracia.com/