Po bëhen gjashtë muaj që kompania publike rajonale e ujësjellësit “Hidrodrini” në Pejë po menaxhohet nga një bord i përkohshëm.
Sipas Ligjit për Ndërmarrjet Publike, asnjë ndërmarrje nuk guxon të veprojë me bord të përkohshëm më shumë se gjashtë muaj.
Bordi i kësaj ndërmarrjeje është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës, më 13 tetor 2021, raporton Demokracia.com.
Pikërisht në ditën e shkarkimit, Qeveria e kishte zëvendësuar me një bord të përkohshëm, i cili përbëhet nga Bajram Mustafa, Zamire Beqiri, Luljeta Latifaj dhe Abedin Neziraj.
Në nenin 43 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet se Qeveria është e autorizuar që të emërojë një Bord të Përkohshëm të Drejtorëve (“Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve”) për secilën NP për të shërbyer në cilësinë e Bordit të Drejtorëve të NP-së për një periudhë gjashtë mujore, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Po ashtu, në ligj thuhet se Qeveria do ta ushtrojë këtë autoritet sa më shpejt që të jetë e mundshme, pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Ky bord, sipas ligjit, mund ta kryejë detyrën vetëm edhe një javë.
Por, Qeverisë duket se nuk po i ngutet. Ajo ka shpallur konkursin për bordet e shtatë ndërmarrjeve publike më datën 11 shkurt, por ata ende nuk janë përzgjedhur.
Qeveria ka shpallur konkurs për këto borde:
Kompaninë Rajonale të Ujitjes Drini i Bardhë, Sh. A, Pejë;
Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Hidrodrini, Sh. A, Pejë;
Kompaninë Rajonale të Ujitjes Radoniqi – Dukagjini, Sh. A, Gjakovë;
Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor, Sh. A, Prizren;
Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni, Sh. A. Ferizaj;
Hekurudhat e Kosovës –Train Kos, Sh. A;
Kompania për Menaxhimin e Deponive, Sh. A./ Demokracia.com/