Lajme
Danimarka u bashkohet 5 shteteve të BE-së, pezullon vaksinën që pritet ta marrë Kosova
Demokracia
12:27 | 11 Mars 2021

Share:

Danimarka ka vendosur që ta pezullojë përdorimin e vaksinës së kompanisë “AstraZeneca” kundër sëmundjes COVID-19 pas paraqitjes së rasteve të koagulimit të gjakut, duke iu bashkuar kështu pesë shteteve tjera të Bashkimit Europian që tashmë e kanë marrë të njëjtin vendim.

Ministri i Shëndetësisë i Danimarkës, Magnus Heunicke, deklaroi: “Tash për tash nuk mund të arrihet në ndonjë përfundim nëse ka pasur lidhje. Ne po veprojmë herët, kjo duhet të hetohet tërësisht”, shkruan Daily Mail.

Lexo edhe: 

Pesë shtete të BE-së pezullojnë vaksinën që pritet ta marrë Kosova pas rasteve të koagulimit të gjakut

Më herët, vendimin për pezullimin e përdorimit të vaksinës së “AstraZeneca”-s e kanë marrë edhe Austria, Luksemburgu, Estonia, Lituania dhe Letonia.

Ky vendim u mor nga vendet e BE-së pavarësisht faktit se rregullatori evropian i ilaçeve ka thënë se sipas hulumtimeve preliminare, grupi i vaksinave në Austri ka pak gjasë të ketë pasur lidhje me vdekjen e një infermiereje 49-vjeçare, e cila e mori vaksinën e AstraZeneca-s, transmeton Gazeta Express.

Me këtë vaksinë, e cila do të prodhohet nga Instituti “Serum” në Indi, pritet të furnizohet edhe Kosova, por nuk dihet se kur saktësisht do të arrijnë dozat e para. Këto doza në Kosovë pritet të arrijnë si pjesë e programit COVAX.

Infermierja vdiq në Austri nga tromboza e shumëfishtë – koagulimi i gjakut në enët e gjakut – dhjetë ditë pasi u vaksinua, njoftoi Agjencia Europiane e Ilaçeve.

Një paciente tjetër u diagnostikua me embolizëm pulmonar, me ç’rast krijohen bllokada në arteriet e mushkërive, por gjendja e saj është duke u përmirësuar.

Deri të martën, edhe dy raste tjera të pacientëve me koagulim të gjakut janë identifikuar nga grupi që ka marrë dozat e pakos së njëjtë të vaksinave.

Agjencia evropiane tha se tash për tash nuk ka dëshmi që vaksina i ka shkaktuar këto probleme shëndetësore te pacientët dhe se tromboza nuk është në listën e efekteve të mundshme anësore të vaksinës.

Sipas kësaj agjencie, pjesë e grupit të vaksinave që u përdorën në Austri janë një milion doza që janë shpërndarë në 17 shtete të Bashkimit Europian.

Të ngjashme