Serbia vazhdon ta mbajë të fshehur fatin e mbi 1mijë e 600 personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, tha për Radio Kosovën se gjatë këtij viti pritet të ketë një dinamik më të shtuar në këtë proces. Sipas tij, në shtetin serb janë tri ose katër lokacione në të cilat komisioni veçse ka dërguar shkresat te partnerët ndërkombëtarë për lejimin e gërmimeve në atë shtet.
Kushtrim Gara tha se këtë vit si komision kanë një dinamik të shtuar për intensifikimin e gërmimeve vlerësuese për të gjitha lokacionet në Kosovë.
Gara thotë se tashmë janë dhënë edhe urdhëresat nga prokuroritë dhe gjykatat kompetente për fillimin e gërmimeve vlerësuese në disa lokacione në vend.
“Po flasim për të paktën 10 lokacione në territorin e Republikës së Kosovës për të cilat tanimë janë urdhëresat nga prokurorit dhe gjykatat kompetente”, tha ai.
Edhe shefi i sektorit për hetimin e krimeve të luftës pranë Policisë së Kosovës, Avni Vrajolli, ka konfirmuar se 5 urdhëresa nga prokuroria janë të trashëguara nga viti i kaluar kurse për një urdhëresë pritet të jepet një raport për një lokacion në brezin kufitar me Shqipërinë.
“Mund t’iu them publikisht për një urdhëresë të prokurorisë që është aktive për gërmim, gjendet në brezin kufitar me Shqipërinë ku ka pasur luftime frontale të hapura që konsiderohet zonë e rrezikshme dhe nevojiten ekipet e deminimit”, tha ai.
Për Komisionin Qeveritar për Persona të Zhdukur sfiduese mbeten lokacionet në Serbi. Por sipas tij, Qeveria e Kosovës vazhdimisht është në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë që të gjejë forma të bashkëpunimit për gërmime në lokacionet në Serbi.
Gara sqaroi se Kizhevaku si lokacion ka përfunduar në maj të vitit të kaluar ku edhe janë zhvarrosur 9 trupa të viktimave të luftës.
“Kizhevaku si lokacion si pikë ka përfunduar me 26 maj të vitit të kaluar ku janë gjetur 9 trupa të viktimave të luftës, shtatë prej tyre kanë qenë identifikime të reja kurse dy të tjera kanë qenë të ndërlidhura me varrezën masive të Rudnicës”, tha ai.
Gara nuk ka përjashtuar mundësinë që brenda regjionit të Rashkës në vendet e shënjuara të bëhen gërmime vlerësuese duke thënë se janë duke bërë përpjekje për caktimin e datave se kur mund të fillojnë gërmimet.
Ndërkaq në kuadër të një strategjie po bëhen përpjekje që të këtë kujdes me familjet që të afërmit e tyre janë identifikuar me forma klasike.
Gjithashtu Kushtrim Gara bëri të ditur se në Institutin e Kosovës për Mjekësi Ligjore tashmë ka filluar riinventarizimi i mbetjeve mortore të cilat që një kohë të gjatë mbahen në morgun e institutit.