Agjencia Ruse e Inteligjencës është dekonspiruar nga Ukraina, e cila i ka publikuar emrat dhe adresat e 620 oficerëve të FSB-së ruse.
Drejtoria Ukrainase e Inteligjencës ka publikuar listën me të dhënat personale të agjentëve rusë të përfshirë në “veprimtari” të fshehta në të gjithë Evropën.
Përveç emrave dhe adresave, lista përfshin edhe modelet dhe targat e makinave të agjentëve, numrat e telefonit celular, datat dhe vendet e lindjes.
Demokracia.com nga institucionet e sigurisë në Shqipëri ka arritur ta sigurojë këtë listë edhe në gjuhën shqipe, pasi që në gjuhën ukrainase është publikuar katër ditë më parë.
Të gjithë spiunët në listë ishin të regjistruar si banues në Lubyanka, selia e shërbimit në Moskë.
FSB është shërbimi i brendshëm i sigurisë ruse, i ngjashëm me MI5. Megjithatë, detyra e tij përfshin gjithashtu vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, duke përfshirë Ukrainën.
Këtë muaj inteligjenca ukrainase kishte publikuar edhe një përgjim të një telefonate mes dy agjentëve rusë, duke diskutuar vdekjen e një gjenerali rus. Në vend që të përdornin kanalin e sigurt të komunikimit të shërbimit, Era, i cili u prezantua me shumë bujë vitin e kaluar, ata po flisnin duke përdorur karta SIM normale.
Pretendohet se FSB-ja, e cila ishte përgjegjëse për mbledhjen e informacioneve në Ukrainë në fillim të luftës, po fajësohet për dështimet e pushtimit.
FSB-ja, pasardhëse e KGB-së famëkeqe të ish Bashkimit Sovjetik, vlerësohet si institucion që në vazhdimësi shkakton telashe gjithandej botës, duke nxitur trazira, luftëra dhe duke kryer vrasje për hesape të kreut rus Vladimir Putin. /Demokracia.com/