Lajme
“Veterani” i Zyrës së Demaçit që pas luftës e quante Zyra e UÇK-së në Prishtinë
Demokracia
20:01 | 31 Mars 2022

Share:

Nëse e keni pyetur më parë Albin Kurtin se ku keni shërbyer gjatë luftës së UÇK-së? Ai gjithmonë ka thënë në Zyrën e UÇK-së në Prishtinë.

Megjithatë, sot kësaj dileme i dha fund publikimi i deklaratës së dorëheqjes së tij nga Zyra e Demaçit, ku Kurti bënte pjesë së bashku edhe me Azem Vllasin, shkruan Demokracia.com.

Pas luftës, Albin Kurti asnjëherë nuk i është referuar Zyrës së Adem Demaçit si zyre personale e Demaçit, por gjithnjë thoshte Zyra e UÇK-së në Prishtinë.

Deklarata e dorëheqjes së Kurtit nga kjo zyrë, e cila mban datën 2 mars 1999, kohë në të cilën ekipi negociator i Kosovës po zhvillonte bisedime për përmbajtjen e tekstit të Konferencës së Rambujesë, e demanton edhe pretendimin e tij se ka punuar në Zyrën e UÇK-së në Prishtinë.

Madje, jo rrallëherë Kurtin e kishin portretizuar edhe si të “guximshëm”, gjoja duke punuar në Zyrën e UÇK-së mu në mes të Prishtinës së mbushur me forca serbe, shkruan Demokracia.com.

Por, në deklaratën e dorëheqjes së Kurtit shihet se emri zyrtar i dokumentit të lëshuar është “Zyra e Adem Demaçit për Analiza, Propozime e Këshilla Politike”, derisa si simbol kishte dy duar me mbishkrimin “Paqe, Marrëveshje, Bashkëpunim, Miqësi”.

Ndërkaq, në fund të deklaratës së dorëheqjes së Kurtit sërish shkruan vetëm “Zyra e Adem Demaçit”.

Në këtë dokument ishin shprehur qëndrime krejtësisht të kundërta, të cilat vetëm pak ditë më pas ishin demantuar kur NATO-ja kishte nisur fushatën e bombardimeve mbi caqet e Ushtrisë Jugosllave.

Kryeministri Albin Kurti sot e gëzon statusin e veteranit të UÇK-së, por në bazë të ligjeve në fuqi, të gjithë luftëtarët që kishin dezertuar apo ishin dorëhequr për arsye të ndryshme, nuk mund të konsiderohen veteranë të UÇK-së. /Demokracia.com/

Të ngjashme