Vladimir Putin duket se e di se forcat ruse po pësojnë humbje të mëdha në Ukrainë, gjë që reflektohet në vendimin për ndryshimin e strategjisë në Ukrainë dhe fokusin në pushtimin e territoreve në Donbas, thanë zyrtarët perëndimorë, transmeton Sky News.
Ata shtojnë se “informacionet për atë që po ndodh realisht në Ukrainë duhet të arrijnë në Putin” dhe “ngadalë po arrijnë tek publiku rus”, transmeton Demokracia.com.
Përkundër faktit se plani fillestar për të pushtuar të gjithë Ukrainën po dështon, zyrtarët nga rrethi i bashkëpunëtorëve më të afërt të Putinit ndoshta nuk guxojnë t’i thonë të gjithë të vërtetën se sa i pasuksesshëm është pushtimi i Rusisë në Ukrainë, thonë zyrtarët perëndimorë.
Ata shtojnë se “vendet që janë në dialog të ngushtë me Rusinë po i thonë Perëndimit se ata patjetër kanë një ndjenjë se Putini nuk e pranon të gjithë pamjen e situatës aktuale”.
Sipas vlerësimeve perëndimore, rreth 10,000 ushtarë rusë kanë vdekur që nga fillimi i pushtimit në Ukrainë.
Zyrtarët perëndimorë thonë se “Putini nuk e kuptoi qartë se Ukraina është një komb dhe se ukrainasit ndihen si ukrainas” në kohën kur ai vendosi të sulmojë, dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt me shumë gjasa e mbështetën iluzionin e tij.
Ata theksojnë se sondazhet në Rusi, rezultatet e të cilave duhet të merren me pak kripë, pritet të tregojnë mbështetje për pushtimin e Ukrainës, të cilin Rusia e quan “operacion ushtarak special”.
Megjithatë, ata deklarojnë gjithashtu se anketuesit u kanë thënë se gjithnjë e më shumë rusë refuzojnë t’u përgjigjen sondazheve, që do të thotë se në realitet ka akoma më shumë rusë që nuk e mbështesin pushtimin sesa tregojnë sondazhet. /Demokracia.com/