Lajme
Detaje ekskluzive| Serbët e Graçanicës dhe Shtërpcës u detyruan ta paguajnë rrymën
Demokracia
12:45 | 01 Prill 2022

Share:

Kosova vazhdon t’ua paguajë rrymën serbëve në veri të Kosovës.

Mosbindje për të paguar rrymën e shfrytëzuar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës kishin shfaqur edhe zona të tjera në Kosovë të banuara me serbë.

Edhe serbët e Graçanicës dhe ata të Shtërpcës kishin tentuar të mos paguanin për rrymën e shpenzuar.

Demokracia.com ka siguruar një letër të drejtorit të KEK-ut në vitin 2009, Arben Gjukaj, drejtuar asokohe komandantit të KFOR-it, Markus Bentler, shefit të EULEX-it, Yves de Kermabon dhe drejtorit të atëhershëm të Policisë së Kosovës, Sheremet Ahmetit.

Në këtë letër, Gjukaj u kishte shkruar drejtuesve të mekanizmave të sigurisë planin sesi KEK-u pretendonte t’i detyronte serbët ta paguanin rrymën. Mes tjerash, ai u kishte treguar atyre sesi ishin futur nën kontroll zonat e tjera të banuara me serbë, duke e theksuar rëndësinë e rregullimit të çështjes së pagesës në këto zona.

Rregullimi i shërbimit energjetik në Graçanicë

Gjukaj në përmbledhjen e tij kishte thënë se pas mbajtjes së disa takimeve me liderët e komunitetit serb në Graçanicë, ata nuk kishin dëshiruar që ta nënshkruanin Marrëveshjen për Rregullimin e Shërbimeve të Komunitetit.

“KEK-u nuk kishte opsion tjetër përveçse të shkyçë dy daljet 10kV në Graçanicë, më 30 qershor 2009. Më pas dhe bazuar në thirrjet nga konsumatorët individual në Graçanicë, KEK-u ka krijuar një variant të Marrëveshjes për Rregullim të Shërbimeve, e cila është nënshkruar nga rreth 1 mijë e 300 konsumatorë individual në Graçancië”, kishte treguar Gjukaj.

Po ashtu, ai kishte njoftuar se ky proces ka përfunduar në korrik të atij viti dhe daljet ishin rikyçur, duke ofruar energji elektrike në këtë zonë më 3 korrik 2009, shkruan Demokracia.com.

Rregullimi i shërbimit energjetik në Shtërpcë

Një zonë tjetër e banuar me shumicë serbe është edhe Komuna e Shtërpcës.

Gjukaj në raportin që u kishte dërguar udhëheqësve të mekanizmave të sigurisë së asaj kohe kishte thënë se nga të gjithë liderët në Shtërpcë është vërejtur rezistencë e madhe.

“Në këtë mënyrë, KEK-u e ka pas të nevojshme thirrjen direkte të konsumatorët individualë dhe personeli i KEK-ut i shpërndau njoftimet te banorët lokalë, duke i njoftuar ata për dëshirën e KEK-ut që të rregullojë furnizimin e tij për komunitetin. Një zgjidhje përfundimisht u arrit më 30 korrik 2009, e cila ia mundësoi personelit të KEK-ut fillimin e regjistrimit të konsumatorëve”, potencohet në raport, përcjell Demokracia.com.

Aty ishte thënë se dy daljet që shërbejnë në qendër të Shtërpcës janë rienergjizuar menjëherë sapo që 70% e konsumatorëve ishin regjistruar dhe kishin paguar shumën e kërkuar prej 26 eurove.

“Daljet e tjera janë rienergjizuar në vazhdim, sapo që ata konsumatorë janë rregulluar për shërbime”, i kishte informuar komandantin e KFOR-it, shefin e EULEX-it dhe drejtorin e Policisë.

Lexo edhe:

DOKUMENTE EKSKLUZIVE: KFOR-i s’i lejoi institucionet e Kosovës që serbët e veriut t’i detyronin ta paguanin rrymën

Rëndësia e rregullimit të zonave serbe në Kosovë

Në informacionet që Gjukaj u kishte dërguar të lartpërmendurve thuhej se ishte shumë e rëndësishme që energjia e pa faturuar të faturohej dhe se vlera e saj ishte 9.5 milionë euro, shkruan Demorkacia.com.

“Rëndësia komerciale e rregullimit të të gjithë konsumatorëve serbë kosovarë në veri të Lumit Ibër është ilusturar në vazhdim: Përderisa 43% e asaj energjie që shfrytëzohet nga serbët kosovarë përdoret për komunitetet në jug të lumit Ibër, rëndësia e kësaj iniciative është shndërrimi i 183 GWH të energjisë nga e pa faturueshme në të faturueshme më një vlerë prej 9.5 milionë euro në vit. /Demokracia.com/

Të ngjashme