Lajme
DOKUMENT| Amnesty International i përgjigjet Danimarkës për 300 të burgosurit: Si “vend i parë” bëhesh përgjegjës nëse u shkelen të drejtat atyre në Kosovë
Demokracia
17:55 | 31 Mars 2022

Share:

Ministria e Drejtësisë së Danimarkës, më 3 mars të këtij viti kishte kërkuar komente nga Amnesty International lidhur me transferimin e të burgosurve në Gjilan të Kosovës. Sipas kësaj organizate, burgu që është planifikuar t’i strehojë 300 të burgosur duhet t’i nënshtrohet rinovimeve, të jetë në gjendje t’i përmbushë standardet daneze dhe detyrimet ndërkombëtare ndaj këtij shteti.

Sipas një dokumenti të përpiluar nga Amnesty International, të siguruar nga Demokracia.com, organizata ka për qëllim të propozojë komentet lidhur me kushtet në të cilat do të gjenden të burgosurit danezë në Kosovë.

Kjo organizatë i ka përmbledhur komentet në disa pika, ku ndër të tjera përfshihen kuadri ligjor për marrëveshjen, Kosova dhe obligimet e saj për të drejtat e njeriut, kushtet në burgje – veçanërisht në lidhje me ndalimin e torturës, keqtrajtimi dhe trajtimi poshtërues, e drejta për jetën private dhe familjare, si dhe e drejta për të qenë i lirë nga diskriminimi.

 

Amnesty International thotë se “vendet e para”, në këtë rast Danimarka, mund të bëhen lehtësisht përgjegjëse për shkeljet e të drejtave të njeriut në “vende të treta”, siç është Kosova.

Kështu, një nga paralajmërimet që kjo organizatë ia jep qeverisë daneze është që t’i shqyrtojë edhe një herë negociatat dhe diskutimet me Qeverinë e Kosovës lidhur me transferimin e të huajve në burgjet e saj, përcjell Demokracia.com.

Pika e tretë e komenteve: Kosova dhe obligimet e saj për të drejtat e njeriut

“Kosova nuk ka ratifikuar konventat universale dhe evropiane për të drejtat e njeriut. Kjo, siç theksohet, pasi Kosova është një nga vendet e pakta që nuk është anëtare e OKB-së dhe nuk është gjithashtu anëtare e Këshillit të Evropës. Prandaj, vendi që ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, nuk mund të anëtarësohet në Konventat e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ose në Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Pra, as Kosova në asnjë rast nuk mund të paraqitet në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Përveç kësaj, Kosova nuk mund të “ekzaminohet” nga të ashtuquajturit mekanizma UPR në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut dhe kështu të pranojë kritika ndërkombëtare për situatën e të drejtave të njeriut në vend. Prandaj, Kosova nuk është e obliguar ndërkombëtarisht për t’i respektuar të drejtat e njeriut”, thuhet në këtë raport, transmeton Demokracia.com.

Megjithatë, tutje në raport theksohet se të drejtat e njeriut kanë një vend qendror në Kushtetutën e Kosovës dhe kanë parashikuar rang kushtetues në dispozitat e tetë instrumenteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

 

Sipas këtij opinioni ligjor, personat që u shkelen të drejtat e njeriut në Kosovë mund ta dërgojnë rastin në një gjykatë tjetër, pasi të kenë shqyrtuar të gjitha opsionet e tjera te gjykatat në Kosovë, duke përfshirë Gjykatën Supreme, përcjell Demokracia.com.

Në këtë raport, përmendet se edhe shumë njohës të çështjes në Kosovë kanë kritikuar marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Danimarkës.

Ndërkohë, Kosova i ka dhënë 300 qeli burgu me qira Danimarkës, ku është planifikuar të mbahen 300 të dënuar që nuk janë të rrezikshmërisë së lartë.

Qendra korrektuese me 300 qeli që i është dhënë me qira shtetit të Danimarkës gjendet në fshatin Pasjak, në afërsi të qytetit të Gjilanit, në lindje të Kosovës. Aty nuk do të ketë të dënuar për terrorizëm dhe as të dënuar me sëmundje mendore./Demokracia.com/

Të ngjashme