Britania e Madhe është e fokusuar në mbrojtjen e Ukrainës dhe nuk synon largimin e presidentit rus, Vladimir Putin, ka thënë të mërkurën kryeministri britanik, Boris Johnson.
Ky reagim i tij vjen pasi është pyetur në lidhje me deklaratën e presidentit amerikan, Joe Biden, i cili tha se Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”, përcjell Demokracia.com.
“Të dëshirosh një ndryshim të qeverisë në vetvete nuk është një gjë e turpshme … ky është objektivi i shumë politikave demokratike. Por le të jemi absolutisht të qartë, nuk është objektivi i qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe është shumë, shumë e rëndësishme që të gjithë ta kuptojnë këtë”, ka thënë ai.
Disa liderë te G7-ës, duke përfshirë këtu presidentin francez, Emmanuel Macron, kanë pasur biseda të drejtpërdrejta mjaft shpesh me Putinin, që kur nisi pushtimi i Ukrainës më 24 shkurt.
Pyetur nëse Macron ka folur shumë me Putinin, Johnson ka thënë se uniteti i G7-ës dhe NATO-s duhet të jetë prioritet. /Demokracia.com/