Në ditët e sotme është diçka shumë e zakonshme të shkosh në një salon bukurie por a e dini se kush ishte e para që e hapi një të tillë? Emri i Martha Harper është i njohur shumë pak, por shpikjet e saj ende përdoren nga shumë vizitorë të salloneve të bukurisë. Ajo ishte një shërbyese që u bë pronare e një rrjeti sallonesh bukurie me mbi 500 dyqane nëpër botë.
Martha Matilda Harper lindi në Kanada në vitin 1857. Familja e saj ishte e varfër dhe babai i saj duhej ta dërgonte Martën gati 100 km larg për të punuar si shërbyese te të afërmit e tyre të pasur kur vajza ishte vetëm 7 vjeç. Në vend që të mësonte, të luante dhe të lexonte libra, gjërat me të cilat zakonisht merreshin vajzat e moshës së saj, Marta e re po bënte punët e shtëpisë dhe nuk mund të shkollohej.
Ajo punoi si shërbyese për 22 vite në Kanada. Fillimisht, punoi në shtëpinë e xhaxhait dhe tezes së saj, më pas u zhvendos për të punuar në shtëpinë e një mjeku gjerman, i cili e prezantoi atë me idetë e tij novatore (për atë kohë) për kujdesin e flokëve. Pikërisht atëherë Marta mësoi për rëndësinë e higjienës dhe se krehja intensive stimulon rrjedhjen e gjakut në lëkurën e kokës dhe përshpejton rritjen e flokëve. E frymëzuar nga këto zbulime, Marta e provoi me flokët e saj dhe pa rezultate të shkëlqyera. Mjeku e vlerësoi interesimin e Martës për atë që po bënte dhe i la trashëgimi një formulë sekrete për një trajtues të veçantë flokësh.
Me kursime të vogla dhe me formulën e shkruar në një copë letre, Marta u transferua në qytetin e Roçesterit, ku punoi si shërbyese për 3 vite të tjera. Ajo krijoi trajtuesit e parë të flokëve në një kasolle në oborrin e shtëpisë dhe e testoi me sukses te vetja, zonja e saj dhe të ftuarit e zonjës ku punonte. Marta nuk donte të ishte një shërbyese e shumëkërkuar, por një biznesmene. Kjo është arsyeja pse, pas disa vitesh mendimi dhe pasi kishte kursyer disa para, ajo guxoi të niste biznesin e saj.
Në 1888, Martha Matilda Harper investoi të gjitha kursimet e saj në hapjen e një salloni bukurie. I kushtoi 360 dollarë në atë kohë. Kërkoi për shumë kohë vendin e duhur në qendër të Roçesterit dhe e gjeti atë. Ajo vari një foto të vetes në hyrje të dyqanit, me një tufë flokësh të shëndetshëm, ngjyrë kafe, deri te gishtat e këmbës, kjo ishte reklama më e mirë për biznesin e saj. Por nuk kishte klientë, sepse ishte një risi për shumicën e njerëzve.
Por Marta nuk u dorëzua. Për të tërhequr klientët e saj të parë, gruaja e zgjuar bëri një truk. Marta ftoi nënat e reja që po ndiheshin të mërzitura në sallën e një shkolle muzikore pranë sallonit të saj, duke pritur fundin e mësimeve të fëmijëve të tyre. Zonjat vinin në sallon për të kaluar kohën, por pasi njihnin shërbimin e Martës, ato u bënë klientet e saj të rregullta. Pas kësaj, fjala për parukerinë e parë publike u përhap në të gjithë qytetin.
Salloni publik i flokëve si një vend ku çdo zonjë mund të vinte dhe të rregullonte flokët e saj ishte një risi e fundit e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Fakti është se në ato ditë, kujdesi për flokët (nëse mund ta quani kështu) bëhej vetëm në shtëpi.
Në epokën viktoriane, gratë rrallë i lanin flokët, pasi ky proces ishte i papërshtatshëm dhe i pakëndshëm. Për të larë papastërtitë, ato zakonisht përdornin një tretësirë amoniaku ose lëng qepe, e cila kishte erë të neveritshme. Të dyja metodat ishin të rrezikshme nëse produkti hynte në sy. Normalisht, ishin shërbëtorët që bënin të gjitha larjet, krehjet dhe stilimin e flokëve për pronarët e tyre. Ndonjëherë pronarët ftonin parukiere të veçanta në shtëpitë e tyre.
Salloni i Martës ishte i hapur gjithashtu në orët e mbrëmjes dhe punonjësit mund të kujdeseshin për çdo fëmijë nëse një klient i sillte me vete , në përgjithësi, ajo u përpoq ta bënte qëndrimin në parukeri sa më të përshtatshme për vizitorët. Marta nuk përdori bojëra kimike në sallonet e saj.
Reklama më e mirë për ‘Harper Method’ ishin flokët e saj deri të gjatë që rrezatonin bukuri dhe shëndet. Kliente të respektuara filluan të vizitonin sallonin dhe një prej tyre, e quajtur Bertha Palmer, rekomandoi që Marta të hapte një sallon të ngjashëm në Buffalo. Pas kësaj, Metoda Harper pushtoi Çikagon dhe shumë shpejt, biznesi i saj u rrit në një zinxhir të pranishëm në disa shtete.
Në fakt, Martha Harper shpiku ekskluzivitetin modern. Pronarët e salloneve që punonin sipas metodës së saj ishin të detyruar të blinin një karrige dhe një lavaman prej saj (që ajo, për fat të keq, nuk e kishte patentë të mbrojtur) si dhe të gjitha produktet e saj kozmetike. Meqenëse gratë zakonisht nuk kishin para të mjaftueshme për shpenzimet e fillimit, Marta u jepte hua fondet e nevojshme që ato të hapnin sallonet e tyre.
Kështu, ajo ndihmoi shumë gra që të dilnin nga varfëria dhe të fillonin bizneset e tyre, sepse të gjithë menaxherët dhe punonjësit e 100 salloneve të saj të para ishin ish-shërbyese. Me kalimin e kohës, ajo hapi një rrjet shkollash bukurie ku u mësoi grave metodën e kujdesit të flokëve. Ajo gjithashtu hapi një fabrikë kozmetike.
Martha Harper jo vetëm që bëri një përparim në kujdesin e flokëve, por ajo krijoi edhe një sallon parukerie siç jemi mësuar ta shohim sot. Në një përpjekje për t’i kënaqur klientët dhe për t’u ofruar atyre rehati maksimale gjatë procedurave, Martha Harper shpiku 2 gjëra që të gjithë vizitorët në sallonet e bukurisë i përdorin ende. Ajo projektoi një lavaman me një prerje gjysmë rrethore për larjen e flokëve dhe një karrige të shtrirë për t’i shpëlarë flokët në mënyrën më të përshtatshme pa u futur shampo në sytë e klientëve. Sot, nuk ka asnjë sallon flokësh që mund të bëjë pa këto mobilje.
Gjërat që po bënte Martha Harper ishin më shumë sesa thjesht përpjekje për të jetuar me dinjitet. Ajo e donte biznesin e saj dhe u përpoq të përmirësonte jetën jo vetëm të klientëve të saj, por edhe të punonjësve të saj. Marta mbante rregullisht takime me menaxherët e salloneve të saj, u dërgonte fletëpalosje inkurajuese, shpesh mesazhi kryesor i të cilave ishte se gratë mund të arrinin gjithçka që dëshironin nëse besonin tek vetja dhe punonin shumë.
Ajo u përpoq ta bënte punën e punonjësve të saj sa më të rehatshme të ishte e mundur. U siguroi atyre një orar fleksibël pune, prezantoi shpërblime për punë të suksesshme dhe prezantoi idenë e një pushimi me pagesë. Qëllimi i saj ishte t’u jepte grave të varfra më shumë liri, në mënyrë që ato të kishin kontroll mbi jetën e tyre, duke mos pasur nevojën të vareshin kurrë nga dikush.
Rënia e perandorisë së Martha Harper
Martha Harper i kushtoi pothuajse të gjithë jetën zhvillimit të biznesit të saj. Kur hapi sallonin e saj të parë në vitin e tridhjetë e një të jetës së saj, ajo nuk pati kohë të mendonte për krijimin e familjes së saj dhe për të pasur fëmijë. Ishte e zënë me tërheqjen e klientëve, trajnimin e personelit dhe shpikjen e produkteve të reja për kujdesin e flokëve. Ajo u martua vetëm në moshën 63-vjeçare. Partneri i saj ishte një oficer 39-vjeçar, Robert A. MacBain.
Në moshën 78-vjeçare, ajo doli në pension dhe ia dorëzoi bashkëshortit menaxhimin e rrjetit të salloneve të saj. Pasi ajo ndërroi jetë, Roberti e shiti biznesin dhe me kalimin e kohës, perandoria e madhe e një gruaje u shpërbë dhe u shndërrua në një kompani të zakonshme.
Ndoshta gabimi kryesor që bëri Martha Harper ishte që nuk zhvilloi një plan pasardhës—jo vetëm për biznesin, por edhe për filozofinë e saj. Bashkëshorti i saj nuk mund të frymëzonte qindra punonjës me shembullin e tij, siç kishte bërë gruaja e tij për dekada. Ai nuk kishte asgjë për t’u mësuar.