Xherdan Shaqiri, futbollisti i lindur në Kosovë që përfaqëson Zvicrën ka folur për ndeshjen miqësore me “Dardanët”.
Zvicra dhe Kosova do të sfidohen në Cyrih të martën nga ora 18:00 në një ndeshje kontrolluese, njëherit e fundit për ciklin e kombëtareve në muajin mars.
Anësori i Chicago Fire ka thënë se 95 për qind e njerëzve do të jenë të lumtur ta shohin atë duke luajtur.
Shaqa, tutje theksoi se ai me bashkëlojtarë luajnë për fitore në çdo ballafaqim.
“Është krejt normale që jo të gjithë fansat të pëlqejnë gjatë gjithë kohës. Mendoj se 95 për qind e njerëzve do të jenë të lumtur të më shohin duke luajtur. Sigurisht që do të jetë një lojë e shkëlqyer”, tha Shaqiri në konferencë, njofton Blick.ch, përcjell Demokracia.com.
“Unë përgatitem normalisht. Unë kam luajtur tashmë lojëra që ishin shumë më të rëndësishme. Duam të tregojmë një reagim ndaj humbjes ndaj Anglisë. Qëllimi është i qartë: të fitojmë çdo ndeshje. Do të përqendrohem plotësisht në punën time në fushë”, shtoi ai.
“Ka pasur disa pika të mira. Luajtëm shumë mirë, sidomos në pjesën e parë. Por sigurisht që është gjithmonë shumë e vështirë kundër skuadrave kaq të mëdha – por ne ishim në gjendje të vazhdonim. Gjëja më pak e mirë është se do të na duhet t’i mposhtim këto skuadra kryesore në një moment”, tregoi Shaqiri, futbollisti nga Zhegra e Gjilanit./Demokracia.com/