Kombëtarja kosovare e futbollit viteve të fundit është rikthyer në një opsion për shumë futbollistët e rinj me prejardhje nga Kosova. Që nga pranimi në UEFA dhe FIFA, një pjesë e madhe e talentëve që jetojnë në vendet evropiane zgjodhën vendlindjen e paraardhsëve të tyre për të përfaqësuar.
Autor: Amir RAMA
Njëjtë nuk veproi futbollisti Andi Zeqiri që pavarësisht ftesës nga Kosova dhe thirrjes së tifozëve kosovarë, ai në fund i tha “Po” Zvicrës, raporton Demokracia.com.
Zeqiri i lindur më 22 qershor të vitit 1999, zgjodhi shtetin që e fton rrallë e hiç në ndeshjet e kombëtares “helvetike”.
22-vjeçari është i ftuar për ndeshjet e marsit, përfshirë edhe atë ndaj Kosovës që Zvicra e luan të martën.
Pavarësisht nëse do i jepet mundësi për të luajtur ose jo, për Andi Zeqirin dueli ndaj Kosovës do të jetë sfidë në vete.
Në maj të vitit të kaluar, kur Zeqiri u përcaktua te Zvicra, tifogrupi i Kombëtares së Kosovës, “Dardanët” e shpallën “non grata” atë.
“Nënshkruajti mbi dokument se do t’i bashkohej kombëtares kosovare, pastaj si skuth i pabesë, në pabesi shkoi te Zvicra. Të pabesët nuk i duhen Kosovës. Nuk u janë̈ dashur shqiptarëve. Vetëm se, ta kesh të qartë një̈ gjë̈: për Dardanët je i padëshiruar – NON GRATA”, thuhej në një reagim të kryetari të “Dardanëve”, Lulzim Berisha në Facebook.
E nga “Dardanët” kanë konfirmuar për Demokracia.com se do të kenë një “befasi të këndshme” për futbollistin në fjalë gjatë ndeshjes së nesërme.
“Po, natyrisht, do të ketë një befasi aty” – thotë një burim i sigurt nga “Dardanët” për Demokracia.com.
Është e vërtetë që Zeqiri nuk është i vetmi që mori një vendim të tillë. Megjithatë, mënyra se si ai zgjodhi Zvicrën në një formë ka “hidhëruar” kosovarët.
Zeqiri kishte edhe marrëveshje me Kosovën me vetë dëshirën e tij, kishte bërë të ditur kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës në maj të vitit të kaluar.
“Andi e ka nënshkruar një marrëveshje me Kosovën me vetë dëshirë dhe kur bisedojmë me çdo lojtar u themi se a e do me zemër vendin dhe fanellën. U-21 i Zvicrës është aktualisht duke garuar për t’u kualifikuar në Evropë dhe ai na ka pyetur edhe ne se a mund të vazhdojë të luajë edhe në ndeshjet e mbetura. Besoj se pas përfundimit të kësaj gare, Andi do të jetë me ne”, kishte thënë Kryetari i FFK-së, Agim Ademi në një intervistë.
“Nuk besoj se fjalët e tij nuk do të qëndrojnë edhe pse mediat në Zvicër raportojnë më ndryshe. Babai i tij dhe vetë Andi i kanë thënë PO Kosovës dhe unë u besoj fjalëve të tyre, pasi është diçka shpirtërore, pasi guri i rëndë peshon në vend të vet”.
Se sa e sikletshme do të jetë ndeshja kundër Kosovës dhe sjellja e tifozëve kosovarë ndaj Zeqirit kjo mbetet të shihet të martën me fillim nga ora 18:00. /Demokracia.com/