Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë përvjetorit të 23-të të masakrës në Krushë të Madhe e kishte një moment aspak të këndshëm.
Ai derisa vizitonte varrezat e martirëve të lirisë në Krushë të Madhe është përballuar me motrën e dëshmorit, Fahredin Hoti, kushërirën e Ukshin Hotit. Në një video të publikuar në Facebook, ish-zyrtarja e MPJD-së, Bahrije Hoti ka kërkuar nga shefi i ekzekutivit t’i dijë arsyet pse është shkarkuar si diplomate, raporton Demokracia.com.
“Më vjen mirë që keni ardhur sot. Por, si është e mundur që unë para një jave jam pushuar nga puna si diplomate e Kosovës, duke dalë nga ky gjak, sakrifica e këtyre dëshmorëve më ka dërguar të shkollohem në Austri dhe unë sot me padrejtësinë më të madhe, para një jave shkarkohem nga puna si diplomate”, dëgjohet duke i thënë Kurtit ish-zyrtarja e MPJD-së.
Kurti është përgjigjur shkurt, duke i thënë se “nuk e di këtë gjë, duhet ta kuptosh”.
Ajo sërish ka insistuar, duke i treguar Kurtit se ka pasur padrejtësi gjatë shkarkimit të diplomatëve.
“E kuptoj, por padrejtësitë po vazhdojnë me të thënë të drejtën. Unë jam betuar para varrit, para gjakut të këtyre dëshmorëve”, dëgjohet duke thënë ajo, përcjell Demokracia.com.
Kurti i është zotuar se do të interesohet për shkarkimin e saj nga vartësja e tij, shefja e diplomacisë Donika Gërvalla.
“Do të interesohem për çka bëhet fjalë. Do ta shikoj për çka bëhet fjalë”, i thotë Kurti. /Demokracia.com/