Sport
Ademi: Berisha nuk e ka refuzuar Kosovën
Demokracia
20:57 | 09 Mars 2021

Share:

Sulmuesi i Red Bull Salzburgut, Mërgim Berisha pritet të jetë pjesë e Kombëtares së Kosovës në të ardhmen. Gjatë ditës së sotme në disa media u raportua se ky futbollist e ka refuzuar Kosovën, pasi nuk do të jetë i grumbulluar për ndeshjet e këtij muaji. Megjithatë, zërat e tillë i ka përgënjeshtruar  i pari i FFK-së, Agim Ademi në një prononcim për “Futbolli.info”.

“Askush nuk e ka refuzuar Kosovën, e as Mërgim Berisha. Ne kemi respekt për të gjithë lojtarët dhe normalisht se për cilindo prej tyre që shpreh interesim përzgjedhësi Challandes dhe stafi i tij, ne bëjmë atë që është e nevojshme për t’i afruar. Sa i përket Mërgimit, ende nuk i kemi bërë ftesë pasi jemi në proces, prandaj nuk ka pasur çfarë të refuzojë. Ne, jemi duke punuar në finalizimin e dokumentacioneve për disa futbollistë dhe në të ardhmen sigurisht se do të ketë prurje të reja”, ka thënë Ademi.

Mërgim Berisha aktualisht po kalon në formë të shkëlqyeshme, pasi këtë edicion ka realizuar 15 gola dhe 10 asistime në ndeshjet e zhvilluara në Bundesligë, Ligë të Kampionëve dhe Kupën e Austrisë. Ai deri tash ka qenë pjesë e Kombëtares U21 të Gjermanisë.

Pjesë e Dardanëve në të ardhmen pritet të jenë edhe Bastien Toma e Toni Domgjoni.

Të ngjashme