Lajme
A do të shkarkohen pesë eprorët e Policisë së Kosovës që i shkuan në takim Vuçiqit, flasin nga IPK-ja
Demokracia
22:18 | 24 Mars 2022

Share:

Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK) ka nisur hetimet për komandantët e policisë së Kosovës që morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Serbi këtë javë.

Arbër Beka, zëdhënës i IPK-së kanë thënë se në kuadër të kompetencave ligjore,  ky institucion është duke e shqyrtuar pjesëmarrjen e disa komandantëve serbë të Policisë në takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, ka thënë Beka për Demokracia.com.

Për këtë çështje ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai  ka thënë se nuk ka informacion që do të shkarkohen nesër komandantët e policisë së Kosovës që morën pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë në Serbi këtë javë.

Sot Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka suspenduar Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës, pasi ajo ishte pjesë e kësaj mbledhje, ndërsa Vuçiq paralajmëroi se edhe komandantët do të shkarkohen. Kurti tha se sot ka qenë i zënë me zhvillime dhe se nuk ka informacion që do të ndodhë diçka e tillë, por nuk e përjashton këtë.

“Nuk kam ndonjë informacion që do të ketë një veprim të tillë nesër. Unë nuk e përjashtoj por nuk ka një informacion”, ka thënë ai.

Ai tutje e pranon se ka marrë informata që do të ketë protesta të serbëve të veriut nesër, të cilët ai i ka lutur që të mos i bashkëngjiten këtyre thirrjeve.

Ndryshe, pesë eprorë të Policisë së Kosovës kanë marrë pjesë  në takimin të cilin e kishte thirrur dy ditë më parë presidenti Aleksandër Vuçiq në Serbi pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Sigurisë.

Në po të njëjtin takim, sipas raportimeve të mediumeve serbe, ka qenë i pranishëm edhe i kërkuari nga organet e rendit dhe sigurisë në Kosovë, Milan Radoji​​çiq. Radojiçiq java më parë ishte arratisur nga duart e policisë në pikën kufitare në Bërnjak.

Shefi i Hetimeve Rajonale në Mitrovicën Veriore, Nenad Simiq, Komandanti i stacionit policor në Mitrovicën Veriore, Goran Zhivkoviq, zyrtari nga Stacioni Policor në Leposaviq, Igor Vukadinoviq, Komandanti i Stacionit Policor në Zubin Potok, Zvezdan Milivojeviq si dhe Shefi i Hetimeve në Zveçan Dragisha Milunoviq janë pesë eprorë policorë në zonën e veriut të Mitrovicës të cilët kanë marrë pjesë dy ditë më parë në takimin e thirrur nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Në të njëjtin takim sipas mediave serbe ku mori pjesë edhe i kërkuari tashmë për rastin “Brezovica” Milan Radojiçiq u diskutua edhe mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë.Mediumi serb PINK TV dje kishte raportuar se në këtë takim mes serbëve të Kosovës dhe Vuçiqit, ndër të tjerë, kanë marrë pjesë edhe punonjës të institucioneve të Kosovës, përkatësisht gjyqtarë të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe të zinxhirit komandues operativ të Policisë së Kosovës në veri.

Dje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar fotografinë e publikuar në të cilën shihet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në takim me përfaqësues të institucioneve në Kosovë me Millan Radojiçiqin njeriun e kërkuar për korrupsion.

“Këtu njerëzit kryesor në këtë fotografi janë Radojiçiq dhe Gashiq, nuk është as Petkoviq. Ky që ndodhet në anën e djathtë të Vuciqit, Petkoviqi që është kryenegociator i Serbisë ky as për së afërmi nuk është i rëndësishëm sa Radojqiqi dhe Gashiqi, besa as zoti Jevtiq”, ka thënë Kurti./ Demokracia.com/

 

Të ngjashme