Stinori pranveror në elitën e futbollit kosovar përveç spektaklit në fushë nga skuadrat, ka nisur edhe me “zhurmë” nga klubet kosovare, duke i nxjerrur punë Komisionit Disiplinor të Federatës së Futbollit të Kosovës, raporton Demokracia.com.
Në mbledhjet e mbajtura deri më tani në krye me kryetarin Met Çeku, janë shqiptuar dënime nga më të ndryshme për klubet, por edhe për futbollistët e skuadrave.
Shumica e dënimeve kanë të bëjnë me lëshimin në organizimin e ndeshjeve, ku stadiumet kosovare shpeshëherë i kemi parë me tifozë në kohën kur zhvillohen ndeshjet, gjë e cila është e ndaluar shkaku i pandemisë COVID-19.
Gjithashtu, dënime ka pasur edhe për akuzat e zyrtarëve të klubeve kundrejt FFK-së, për ofendime ndaj skuadrave mysafire e sjelljeve josportive.
Demokracia.com në një përmbledhje që ka bërë ka zbuluar se klubet më të padisiplinuara në stinorin pranveror ishin Llapi, Drenica dhe Feronikeli.
Kurse, klubet më të mira nv aspektin e disiplinës deri më tani janë Arbëria e Dobrajës dhe Besa e Pejës.
Llapi, Drenica dhe Feronikeli, klubet më të “padisiplinuara”
Derisa ka kaluar rreth një muaj prej kur ka nisur stinori pranveror në futbollin elitar kosovar, Llapi ka qenë ndër klubet që i ka shkaktuar “telashe” Komisionit Disiplinor.
Klubi nga Podujeva fillimisht ishte gjobitur me një mijë euro për lëshime në organizimin e ndeshjes së kupës ndaj Ballkanit, për të njejtën arsye mori “vërejtje të fundit” për ndeshjen e Superligës poashtu ndaj Ballkanit, derisa portieri i skuadrës, Marijan Coriq u pezullua me dy ndeshje moslojë për shkak të kartonit të kuq në ndeshjen ndaj Ballkanit për Kupën e Kosovës.
Nga ana tjetër, te Feronikeli “problem” po del të jetë kryetrajneri Klodian Duro.
Trajneri nga Shqipëria është gjobitur me të holla dy herë – me 300 euro pas gjuhës banale të përdorur në ndeshjen ndaj Gjilanit – dhe me 500 euro për sjelljet josportive në ndeshjen derbi ndaj Drenicës.
Rivali lokal i Feronikelit, Drenica poashtu ka pasur shumë punë me Komisionin Disiplinor.
Klubi nga Skënderaj e gjeti veten në telashe ku për shkak të sjejlljeve josportive në ndeshjen ndaj Prishtinës, zyrtari i klubit, Azem Mecinaj u dënua me 200 euro, ndihmvstrajneri Skënder Mustafa me tri ndeshje mosushtrim të detyrës për sjelljet josportive ndaj Besës së Pejës dhe kryetrajneri Bledar Devolli ishte pezulluar me dy ndeshje moslojë pas ofendimeve në ndeshjen ndaj Prishtinës.
Drita, Prishtina, Gjilani dhe Trepça ’89 me nga një “problem”
Klubi i Dritës së Gjilanit e ka parë veten vetëm njëherë në vendimet e Komisionit Disiplinor të FFK-së dhe krejt kjo për shkak të futbollistit Erion Vucaj, i cili u pezullua me dy ndeshje moslojë pas fyerjeve ndaj gjyqtarit kryesor në ndeshjen Prishtina – Drita.
Njëherë pati “problem” edhe Ballkani, për shkak të portierit Damir Ljujanoviq i cili u pezullua me dy ndeshje moslojë shkaku i kartonit të kuq në ndeshjen ndaj Llapit në Kupën e Kosovës.
Ashtu si dy klubet e lartëpërmendura, Trepça ’89 dhe Gjilanit e kanë pasur një problem të “përbashkët”.
Dy kryetarët e klubeve, Abedin Zeka, respektivisht Florim Zuka janë me inicim disiplinor. “Beki” ndodhet në këtë listë për shkak të deklaratave për media duke akuzuar drejtuesit e FFK-së pas ndeshjes Trepça ’89 – Prishtina, shkruan Demokracia.com.
Kurse, Zuka dhe drejtori Sevdail Robelli ndodhen në inicim disiplinor për shkak të ofendimeve ndaj gjyqtarit pas ndeshjes me Arbërinë e Dobrajës.
Disiplina e Arbërisë dhe Besës
Dy klubet që u inkuadruan këtë edicion në Superligën e Kosovës, po del të jenë mjaft të disiplinuara në këtë fillim të stinorit pranveror.
Si Arbëria ashtu edhe Besa e Pejës, nuk e kanë marrë ndonjë dënim nga Komisioni Disiplinor i FFK-së deri më tani.
Ndryshe, Demokracia.com ka tentuar të bisedojë me trajnerin dhe donatorin e Llapit, Tahir Batatina dhe kryetarin e Drenicës, Ilir Veliqi për këtë çështje, por të njejtit nuk janë lajmëruar në telefon. /Demokracia.com