Lajme
Vuçiq viktimizohet në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s: Fajet i ka Wesley Clark
Demokracia
14:41 | 24 Mars 2022

Share:

“Serbia dëshiron vetëm që viktimat e agresionit të NATO-s në vitin 1999 të kujtohen dhe krimet të mos harrohen”, tha sot presidenti Aleksandar Vuçiq me rastin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë, duke shtuar se “të gjithë pjesëmarrësit në bombardime duhet të heshtin në vend të mburrjes, si dhe të turpëron”, transmeton Demokracia.com.

“Nuk na bindin dot, kam parë disa sot që flasin triumfalisht për sukseset e tyre nga viti 1999. Mesazhi im për ta është më mirë të heshtin. E kam fjalën për të huajt që morën pjesë në atë agresion të tmerrshëm ndaj vendit tonë dhe të turpërohemi pak dhe të gjejmë një vend ku t’i lutemi Zotit për të gjithë ata njerëz të mrekullueshëm dhe fëmijë të shumtë që vranë këtu”, tha Vuçiq.

Në një prononcim për Pink, ai tha se këtë deklaratë e “kishte për gjeneralin Wesley Clark, dhe shumë të tjerë”.

Sot janë bërë 23 vjet nga fillimi i bombardimeve të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë, që asokohe përbëhej nga Serbia dhe Mali i Zi. Bombardimet ndaj Serbisë zgjatën nga 24 marsi deri më 11 qershor të vitit 1999.

Kjo ishte ndërhyrja e dytë e rëndësishme e NATO-s në hapësirat e ish-Jugosllavisë, pas bombardimit të pozicioneve të forcave ushtarake të serbëve të Bosnje e Hercegovinës rreth Sarajevës në vitin 1995.

Operacionet e NATO-s përfunduan pas nënshkrimit të marrëveshjes tekniko-ushtarake për tërheqjen e ushtrisë dhe policisë jugosllave/serbe nga Kosova, shkruan Demokracia.com.

Arsyeja e fillimit të bombardimeve ishin pikërisht zhvillimet në Kosovë dhe gjenocidi që Serbia kryente ndaj shqiptarëve për një kohë të gjatë.

Masakra në Reçak shënoi kthesën në luftë, pasi që komuniteti ndërkombëtar humbi durimin me politikat gjenocidale të Millosheviqit dhe mori vendimin për intervenim ushtarak për të parandaluar eskalimin e mëtejshëm të dhunës në Ballkan.

Ish-diplomati amerikan Richard Holbrook u takua për herë të fundit me Sllobodan Millosheviqin në mars të vitit 1999, ku i ofroi shansin e fundit që të pranonte Marrëveshjen e Rambujesë, por ai i refuzoi kushtet, gjë që çoi në nisjen e bombardimit të NATO-s kundër Serbisë.

NATO fillimisht sulmoi caqet përreth Novi Sadit dhe Beogradit. Një nga caqet kryesore të sulmeve të ashpra të forcave të NATO-s ishte Aeroporti i Beogradit në Batajnicë, si dhe caqet ushtarake në komunat Vozhdovac, Gorcka, Pançevë dhe fabrika e avionëve Utva, si dhe zonat Kovin dhe Kaçarevo.

NATO-ja bombardoi edhe caqe të rëndësishme të ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë.

Gjatë bombardimit të Serbisë, avionët e NATO-s kanë realizuar 38.000 fluturime, duke sulmuar depot dhe fabrikat e armëve të Serbisë në Beograd, Nish, Novi Sad dhe Prishtinë. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme