Lajme
“President, po bëjmë gjënë e duhur”| Deklarata e Albright gjatë pritjes së veçantë në Kosovë
Demokracia
21:21 | 23 Mars 2022

Share:

Mijëra persona u mblodhën në sheshin kryesor të Prishtinës, më 12 qershor 2019. Përkrahësit kryesorë të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, ish-presidenti amerikan Bill Clinton dhe ish-sekretarja amerikane Madeleine Albright po e vizitonin Kosovën.

Organizimi ishte tejet i veçantë, ashtu siç i përshtatej dy prej aleatëve më të mëdhenj që njeh Kosova, përcjell Demokracia.com.

Disa fotografi të publikuara nga ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili priti Clinton e Albright tregojnë më së miri detajet e kësaj ceremonie, e cila edhe karriget i kishte organizuar në formë të simbolit të NATO-s.

“Është një nder i madh për mua të kem qenë përkrah jush kundër spastrimit etnik dhe lirisë”, tha Clinton për turmën në sheshin “Nënë Tereza”, disa prej të cilëve valëvitnin flamuj amerikanë.

“Mos harroni kurrë kur të mendoni për sfidat përpara jush dhe ua them këtë liderëve tuaj ekzistues, ju keni bërë tashmë diçka të mahnitshme. U keni dhënë një brezi të tërë 20 vitet e para të jetës së tyre në paqe”, kishte thënë Clinton.

Albright gjatë kësaj vizie kishte thënë fitorja erdhi për shkak të kauzës së drejtë dhe për shkak të popullit të Kosovës. Me të pranishmit ajo ndau disa nga momentet kur bisedoi me ish-presidentin Clinton për ndërhyrjen në Kosovë.

“Nuk ishte vendim i lehtë siç mund ta imagjinoni dhe për këtë kemi pasur shumë diskutime dhe presidenti Clinton donte të bindej se Kosova ishte e sigurt. Dhe në një mbrëmje kur filluan bombardimet ai më telefonoi në mesnatë dhe më tha ‘Madeline, avionët u kthyen, ne po bëjmë punën e duhur ne po bëjmë gjënë e duhur’ dhe unë i thash ‘po, zotëri president ne po bëjmë gjënë e duhur’”, kujtoi Albright.

Trupat e NATO-s hynë në Kosovë më 12 qershor 1999, pasi përfundoi fushata e saj e sulmeve ajrore

“12 qershori është data që na bashkon të gjithëve, është themelimi i identitetit tonë si qytetarë, si një komb, si Kosova. Këtë gjë (ndërhyrjen e NATO-s), nuk do ta harrojmë kurrë dhe do ta respektojmë gjithmonë,” kishte thënë presidenti atëhershëm Hashim Thaçi.

Vlen të përmendet se Albright për herë të fundit e ka vizituar Kosovën në vitin 2019, përcjell Demokracia.com.

Sot, ajo ka ndërruar jetë në moshën 84 vjeçare.

Gjatë kësaj kohe, ajo ka qenë kryetare e bordit të politikave të mbrojtjes në Shtëpinë e Bardhë.

Albright në kohën sa ka qenë sekretare e SHBA-së, ka qenë faktor kryesor për bombardimin e NATO-s kundër Serbisë.

Ajo ka luajtur një rol kyç edhe në bisedimet e Rambujes. Ish-sekretarja amerikane, edhe pas pensionimit nga politika ka vazhduar mbështetjen për shtetit e Kosovës./Demokracia.com/

Të ngjashme