Gjilani dhe Drita janë protagonistë të javës së 24-t në Superligën e Kosovës në futboll.
Në stadiumin e qytetit në Gjilan, të dyja skuadrat nga Anamorava do t’i masin forcat e tyre në fushën e gjelbër, shkruan Demokracia.com.
Derisa Drita po lufton për ta mbrojtur titullin e kampionit, Gjilani i ka punët më keq, duke u larguar nga gara për titull si dhe duke u eliminuar nga Kupa e Kosovës.
Ndeshja në fjalë luhet të enjten më 11 mars, derisa të dyja skuadrat janë duke i bërë përgatitjet e fundit.
Si në çdo derbi tjetër, edhe kësaj radhe, Drita iu ka ofruar futbollistëve premio në rast të fitores ndaj rivalit të përbetuar, Gjilanit.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i klubit gjilanas, Valon Zymberi.
“Si në çdo derbi tjetër, edhe kësaj radhe klubi do të jap premio në rast të fitores ndaj Gjilanit”, ka thënë Valon Zymberi të martën për Demokracia.com.
I pyetur se cila është shuma e premiove për ndeshjet derbi ndaj Gjilanit, Zymberi u përgjigjë:
“Varësisht prej rëndësisë së ndeshjes, por premiot variojnë nga tetë deri në dhjetë mijë”.
Demokracia.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e Gjilanit, Sevdail Robelli në lidhje me këtë çështje, por i njejti tha se ende nuk është marrë vendim.
“Ende nuk jam takuar me presidentin Florim Zuka, nuk ka ndonjë vendim deri më tash”, u përgjigj shkurtimisht Robelli.
Pas 23 javësh, Drita është lidere në Superligë me 50 pikë, kurse Gjilani zë vendin e katërt me 33 sosh. /Demokracia.com