Kryeministri Albin Kurti e ka mbrojtur zëvendësin e tij Besnik Bislimi për skandalin me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Bjorn Berge.
Berge ditë më parë i ka reaguar zv.kryeministrit Bislimi për takimin, meqë në një postim në ‘twitter’ Bislimi kishte thënë se Berge ka mirëpritur aplikimin e mundshëm të Kosovës në Këshill të Evropës.
Norvegjezi ka deklaruar se ajo çfarë ka shkruar Bislimi, fatkeqësisht nuk është ajo çfarë Berge ka potencuar në takim lidhur me anëtarsimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ky fatkeqësisht, nuk është një përshkrim i saktë i asaj që deklarova në takim në lidhje me aplikimin e mundshëm për Këshill të Evropës”, ka shkruar Berge si reagim për zv.kryeminstrin kosovar.
E Kurti në një intervistë në RTK ka thënë sot se i vjen keq që takimi më i mirë i Bislimit u komentua për të keq.
Ai tha se është e pamundshme që të kontrollohet çdo shkrim, përcjell Demokracia.com.
“Në qeverisje je tërë kohën aktiv aq aktiv sa që është e pamundshme të kontrollosh gjithçka. Unë nganjëherë bëjë shaka e them si kryeministër tërë kohën jam duke shkruar mesazhe, bërë vendime. Kur është formuluar ai tweet nuk janë përdorur fjalët e duhura, e ka bërë korrigjimin, ka kërkuar falje. Qëllimi ka qenë i mirë dhe ai takim ka qenë i mirë. Më vjen keq që takimi më i mirë që e ka pasur zv. kryeministri u përfol për të keq. Nuk po mund ta shikojmë secilën fjalë për secilin tekst, nuk besoj që është bërë dëm. Ne kemi ekipet tona ku delegojmë shumë punë dhe jo gjithçka arrijmë. Opozita nuk e ka hallin me të e ka hallin me mua. Jam shumë i lumtur që e kam koleg e bashkëpunëtorë.”, tha ai. / Demokracia.com/