Lajme
Tre njerëzit kryesor të qeverisë demantojnë njëri-tjetrin
Demokracia
18:54 | 22 Mars 2022

Share:

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe Ministri i Financave, Hekuran Murati, kanë dhënë deklarata kundërthënëse me njëri-tjetrin rreth vendeve të reja të punës në një periudhë kohore prej pesë muajsh gjatë muajit të kaluar.

I pari që u deklarua rreth numrit të punësimeve ishte Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili më 29 shtator të vitit të kaluar ka deklaruar se brenda një viti në vendin tonë janë hapur 22 mijë vende pune.

“Sa i përket punësimit, nëse i marrim shifrat në fund të tremujorit të dytë që është muaji qershor dhe e krahasojmë deklarimin në Administratë Tatimore që ka qenë në fund të qershorit të vitit të kaluar, kemi një rritje prej 22 mijë vende pune”, ka thënë Murati.

Gjithsesi, shifrat e prezantuara prej tij u demantuan nga numri dy i qeverisë, Besnik Bislimi, pothuajse një muaj më vonë.

Zëvendësi i Albin Kurtit deklaroi se qeveria për gjashtë muaj ka hapur mbi nëntë mijë vende të reja pune.

“Sa i përket punësimit, në qeverisjen tonë është numri më i madh i të punësuarve, prej 9300 më i lartë prej që ka ardhur qeveria Kurti”, ka deklaruar Bislimi.

Kurse, shefi i tyre shpalosi shifra krejtësisht të tjera.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në muajin dhjetor të vitit të kaluar, ai kishte deklaruar se 10 mijë vende të reja pune janë hapur në qeverisjen e tij.

“…pastaj kemi regjistruar diku rreth 10 mijë vende të reja pune, i kemi mbajtur 50 mbledhje si qeveri, me 458 vendime dhe gjithsej me 112 projektligje…”, kishte deklaruar Kurti.

Me këto deklarata sot ka ironizuar anëtari i Kryesisë së Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi.

“Në këtë përvjetor të qeverisjes, cila prej rrenave të mëposhtme është më afër të vërtetës?”, ka shkruar Nushi në Facebook.

Të ngjashme