Sport
Mesfushori i Gjilanit “ndez” derbin me Dritën: Shpresoj të jetë kjo ndeshje një kthesë për ne
Demokracia
15:22 | 09 Mars 2021

Share:

Skuadra e Gjilanit është duke e përjetuar një “periudhë të errët” me rezultate negative në elitën e futbollit kosovar.

Saktësisht, Gjilani ende nuk e ka shijuar fitoren që prej fillimit të stinorit pranveror në futbollin e Kosovës, raporton Demokracia.com.

Gjilani që drejtohet nga Bylbyl Sokoli në ndeshjen e ardhshme do të hyjë vetëm për fitore, por që do ta ketë një kundërshtar mjaft të vështirë – Dritën.

“Derbi i Anamoravës” do të zhvillohet këtë të enjte me fillim nga ora 13:00 në kuadër të javës së 24-t në Superligën e Kosovës.

Para kësaj ndeshje, mesfushori i Gjilanit, Muhamet Useini në një prononcim për Demokracia.com ka thënë se atmosfera në skuadër nuk është edhe aq e mirë pas ndeshjeve të fundit.

“Normale se nuk është atmosfera e mirë pasi që po i përjetojmë rezultatet e dobëta dhe tentojmë sa më shpejt të dalim nga kjo periudhë e errët”, ka thënë Useini, i cili e sheh derbin ndaj Dritës si “pikë” ku mund të rikthehet skuadra.

“Nëse do kishim zgjedhur ndeshje, besoj se nuk ka ndeshje më të mirë se derbi për t’u rikthyer te rezultatet pozitive”, tregon ai.

Për fund, Useini është i vetëdijshëm se skuadra e tij do ta ketë mjaft të vështirë në këtë përballje.

“Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, si gjithmonë. Besoj se një moment mund ta zgjidh ndeshjen dhe shpresoj të jetë kjo ndeshje një kthesë për Gjilanin”, përfundoi të martën Muhamet Useini.

Pas 23 javësh, Drita është lidere në Superligë me 50 pikë, kurse Gjilani zë vendin e katërt me 33 sosh. /Demokracia.com

Të ngjashme